Botohet libri ‘Pika ime e dobët‘ e autores Xhevrije Kurteshi Nimani

Autorja Xhevrije Kurteshi Nimani, ka publikuar librin ‘Pika ime e Dobët‘, libër i cili është përmbledhje poezish me tematika të ndryshme, shkruan KultPlus.

Natyra, vendi, dashuria ndaj prindërve janë disa nga vargjet të përfshira në këtë libër, vargje këto fuqishëm ruajnë idenë e rilindasve të kombit.

Redaktori i librit, Hysen Ibrahimi, thotë se autorja me poezinë e saj del fare qartë, duke bërë një paraqitje të re poetike në letërsinë bashkëkohore, kurse në anën tjetër di ta realizojë një paraqitje të situatave nga më të ndryshmet, që janë aktuale në historinë poetike dhe në jetën letrare, ku në disa raste përfshin dashurinë ndaj prindit, vendit, natyrës dhe gjithçkaje që është shqiptare. Vargu i saj ruan fuqishëm idenë e rilindasve tanë, është një kala mbrojtëse nga ngarkesat e jashtme dhe të brendshme, që i vinë kombit tonë.

“Në vlerësimin tim, poetja Xhevrije bën mjaftueshëm përpjekje serioze në krijimin e poezisë së saj në planin lirik, të cilat janë mjaft të ngjashme me ato poezi që japin nyjet e dashurisë atdhetare. Madje, me të drejtë nxjerr vargje me formulim interesant, që i gjejmë edhe te poetët e mëdhenj, me çka mund ta emërtonim letërsinë bashkëkohore në poetikë. Pse? Sepse poetja Xhevrije Kurteshi Nimani ka shkruar nën ndikimin e ngjarjeve historike të vendit të saj të lindjes, por edhe për vetë ngjarjet e ndodhura e përjetuara personalisht. Pra, ky formulim i vargjeve të poetes me të drejtë duhet vlerësuar, botuar dhe promovuar  përmes këtij botimi”, ka thënë Ibrarimi./KultPlus.com

Botohen tregimet e autorit Enver S. Morina ‘Rr’nimi i Arbërit’

Libri me tregime “Rr’nimi i Arbërit” i autorit Enver S. Morina ka ardhur për lexuesit nga Shtëpia Botuese “Buzuku” në fund të marsit të këtij viti. Libri është i përbërë nga dhjetë tregime dhe gjashtë skica, poezi, dialogë e rrëfime që autori i quan biseda në titullin “6 “biseda” të përgjuara me 17 janar”.

Tregimet: “Mos i humbisni sytë”, “Vetvarrmihja e Arbër Varrit”, “Dosja e Arbër Varrit”, “Polemikë me ujq”, “Triptiku vendor i ecejakeve nëpër At(ë)dhe”, “Koloneli dhe i çmenduri”, “I vdekur në një aksident”, “Njollat e hirit pas shiut të akullt”, “Dialog i përfunduar” dhe “E moshuara dhe vasha”.

“Bisedat”: “Populli nuk është 007”, “Frika dhe letra”, “Ditari”, “Kthina”, “Loja” dhe “E nesërmja, kënga dhe liria”.

“Një stil rrëfimi krejt ndryshe. Miksturë rrymash e drejtimesh kulmuar me postmodernen. Historia është një lajtmotiv por aktualiteti imperativ.”, shkruan në ballinë.

Janë tregime të shkruara përgjatë kapërcimit të mileniumeve në harkun kohor prej 15 vite (1994) nga rrëfimi “Mos i humbisni sytë” e deri të tregimi i gjatë “E Moshuara dhe Vasha” (2009). Pjesë e kësaj përmbledhje është edhe skelet-skenari “Mërgimi i përjetshëm i KëDe-së” i cili shoqërohet me një letër në gjuhën angleze për aktorët Kevin Costner-it e Harrison Ford-it (1998). Tregimi “Njollat e hirit pas shiut të akullt” zuri vendin e tretë në konkursin “Flaka e Janarit 2000”.

… Arbër V. ishte bërë varrmihës i vetvetes. Vetëm tash e kuptoj pse me shekuj familja e tij mbante këtë mbiemër! Mbeti edhe kësaj here e parealizuar porosia e paraardhësve: të varroset në fshatin e etnisë stërgjyshore, në Kushevicë, të Toplicës! … (Fragment nga tregimi “Vetvarrmihja e Arbër Varrit”)

Autori i librit me tregime “Rr’nimi i Arbërit” Enver S. Morina (1965, Gllarevë e Klinës) ka kryer Fakultetin e Filologjisë, drejtimi Letërsi dhe ka ndjekur studimet pasuniversitare (1998-2000). Ka punuar profesor në shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Disa vite edhe gazetar. Shkruan ese e kritikë letrare e kinematografike, opinione, analiza e të tjera botuar në periodikun apo gazetat e kohës, si “Koha-javore”, “Sheshi”, “Zëri-javor”, “Flaka”, “Fjala”, “Jeta e Re”, “Bota Shqiptare”, “Verbi”, “Albanica”, “Shqip” si dhe në “Nacional”, “ResPublica”, “ExLibris”, “MAPO Letrare”, etj. Është autor i monografisë “Shndrit ndër breza, Hamit Krasniqi” (2010).

“Rr’nimi i Arbërit” është vepra e parë e tij në prozë. / KultPlus.com

Botohet libri “Ajo” nga autorja e re Yllka Shala

Vetë titulli i librit intrigon lexuesin të pyesë se për kë bëhet fjalë, dhe se kush është ajo? Në promovimin e librit të parë të saj Yllka Shala shpalosi detaje në lidhje me përmbajtjen dhe pasqyrimin e asaj se çfarë kishte shprehur përmes poezive të saj.

Qysh e vogël kishte pasur dashuri të madhe ndaj librit, e sidomos ndaj poezisë. Më në fund ajo arriti ta shkruajë një libër të saj, e cila është një përmbledhje poezish, kushtuar vetëm asaj, personazhit të cilës më qëllim nuk i kishtë vënë emër.  

Përmes këtij libri, ajo thotë se secila femër mund ta gjejë veten, pikërisht për këtë e ka titulluar në këtë mënyrë.  

“Në këtë libër e kam përshkruar një femër, ashtu siç edhe e kam titulluar librin ‘‘Ajo‘‘. Janë shumë poezi në të cilat secila femër mund të gjejë veten“- u shpreh ajo.

Libri duke qenë një përmbledhje poezish të renditura njëra pas tjetrës, shtjellon më së shumti temën e vuajtjes dhe dashurisë:

“Secila poezi ka të bëjë me një vajzë e cila nuk ka guxim t’i shprehë ndjenjat, por i shpreh përmes shkrimit. Në këtë rast unë kam vendosur që ndjenjat e saj t’i publikoj në një libër, që në këtë rast mund të jem unë ajo vajzë dhe mund te jetë edhe secila vajzë tjetër, ku hasim më së shumti në temën e vuajtjes dhe dashurisë“.

Yllka për KultPlus shpalosi edhe një ndër poezitë e preferuara të saj, vargjet e të cilave ishin:

Në heshtje të deshi,

dhe në heshtje të kujton,

në heshtje akoma të do,

dhe në heshtje ajo po shkon.

“Jam frymëzuar në shumë raste nga vetja, por edhe nga shoqëria, secila poezi niset nga ajo“ – u shpreh autorja e re.

Ajo e përmbylli promovimin me një thënie që e kishte edhe në hyrje të librit dhe që tani për të kishte marrë edhe një kuptim shumë më të fuqishëm: “Është bukur kur jeton me ëndrra, shpresa dhe lutje, por akoma më bukur kur ato iu realizohen“.

Libri i saj tashmë ka dalë në shitje dhe gjendet në Librarinë Dukagjini. /KultPlus.com

Botohet vepra e Mit’hat Frashërit, studiuesi: Do kërkojmë edhe ekspertizën e vdekjes së tij

Në 70-vjetorin e vdekjes së Mit’hat Frashëri botohet vepra e tij e katërt, me udhëpërshkrimet, që janë botuar në shtypin shqiptar edhe të huaj. Janë përshtypje udhëtimi, përshkrime gjeografike, historike, politike, etnike, sociale, ekonomike edhe kulturore, që drejtuesi i Institutit “Lumo Skëndo” studiuesi Uran Butka boton në këtë vëllim.

“Përmbledh të gjitha përshtypjet e udhëtimit në të gjithë hapësirën, që nga Stambolli, në Shkup edhe në Prishtinë, duke e zgjedhur edhe si delegatë, në Elbasan, në Vlorë ku është zgjedhur si firmëtar i Pavarësisë edhe në fund nga Janinë”, thotë Butka.

Ndërsa, referuesit e tjerë ndalën tek vlerat dhe kontributi që Mi’that Frashëri ka dhënë në letërsinë shqiptare, edhe në çështjet kombëtare.

 “Sot të gjithë shqiptarët kanë nevojë që të njihen me përpjekjet edhe sakrificat e mëdha, që shqiptarët dhanë për vendin. Që nga koha e komunizmit kemi një përqasje që historia fillon me mua. Por ka ardhur koha që të njohim baballarët e kombit, për të kuptuar të sotmen edhe të ardhmen, sepse duke mos e njohur të vërtetën do t’u thurim lavde sharlatanëve”, shprehet ish-deputeti Agron Shehaj.

Në veprën e pestë të Mit’hat Frashërit do të përfshihen përshtypjet e  udhëtarëve të huaj për Shqipërinë, ndërsa në veprën e gjashtë edhe të shtatë do të përfshihen të gjitha letërkëmbimet, e Mit’hat Frashërit. Por, megjithatë ajo që vazhdon që të mbetet mister sipas studiuesit është vrasja e Mit’hat Frashërit

“Mendoj se skenari i dytë i vrasjes së Mit’hat Frashërit që ishte vendosur nga sigurimi i shtetit shqiptar edhe qeveria shqiptare, ishte që ai të zhdukej para se të binte në kontakt me Vatrën. Ky është varianti më i besuar. Në bashkëpunim me agjentet e dyfishtë ata realizuan vrasjen me metoda kimike edhe ilaçe vrasjen e Mit’hat Frashërit. Ne do kërkojmë që qeveria amerikane të na zbulojë ekspertizën e vdekjes së tij, që nuk është zbuluar deri më sot”, shprehet Butka.

Studiuesi Uran Butka aktualisht është duke përgatitur edhe albumin fotografik të Mit’hat Frashëit. / Shqiptarja.com /KultPlus.com

Botohet romani “Gosti në natën e parë të vjeshtës” i Gëzim Aliut

Shkrimtari Gëzim Aliu ka botuar romanin “Gosti në natën e parë të vjeshtës”. Në një prononcim për KultPlus, Gëzim Aliu ka shpjeguar zanafillën e këtij romani dhe ka folur shkurtimisht për temat e tij. Ai është shprehur se ideja për këtë roman daton që nga koha kur qëndronte në një rezidencë për shkrimtarë, në Vjenë, në vitin 2012.

Ishte ide për një tregim të gjatë, të cilin nuk e kishte botuar bashkë me tregimet e tjera në përmbledhjen “Libri i fundit”, që u botua atë vit në Prishtinë.

“Ishte ide që mund të zgjerohej në diçka më të madhe, prandaj nuk e futa mes tregimeve të tjera, që u botuan po atë vit, në Prishtinë. Ideja, që tashmë ishte bërë skicë me disa degëzime, u skajua nga disa punë të tjera të miat”, shprehet Aliu.

Ai më tutje thotë se, ndërkohë, kishte bërë një përpjekje për të bashkuar tekstin e skicës me tekstin e ditarit që kishte mbajtur gjatë qëndrimit në Vjenë. “Por, pas një kohe, teksa po e rilexoja, e ndjeva që dorëshkrimi nuk ishte i gjallë, nuk merrte frymë. Simbioza mes tekstit të ditarit dhe tekstit fiksional nuk ecte, ishte shartim pa fryt”, konstaton Aliu.

“Sapo teksti i ditarit ra nga kombinimi, e ndjeva thellë në vete se ideja fillestare e parehatshme, që degëzohej vazhdimisht, mund të bëhej roman. Menjëherë pasi e botova një monografi, pikërisht para një viti, iu ktheva me tërë vëmendjen. Për një vit të tërë jam marrë me këtë roman”, shton ai.

Ndërkaq për KultPlus, autori Gëzim Aliu, tregon edhe për atë se per çfarë flet romani.

“Pothuajse ndodh gjithmonë që, kur i tregon dikujt se ke botuar roman, të pyet menjëherë se për çfarë bëhet fjalë në të. Sigurisht do të përgjigjesha kështu: “Gostí në natën e parë të vjeshtës” është roman për luftën, dashurinë dhe marrëzinë”, shprehet ai.

Kurse, shkrimtari Agron Gashi shprehet se romani “Gostí në natën e parë të vjeshtës” është plot lojë, erotizëm e ironi, plot humor e trishtim, një trishtim i bukur që rrallë e ndeshim në prozën shqipe.

““Gostí në natën e parë të vjeshtës” është roman ku hierarkia kulturore shndërrohet në anarki, seriozja në sarkazëm dhe ironi, tragjedia në komedi, etika në estetikë, për të fituar kjo e fundit”, vlerëson Gashi.

Agron Gashi shprehet se Aliu, duke qenë edhe njohës i mirë i diskursit narrativ dhe i teorisë së romanit, thur rrëfime e minirrëfime interesante, duke ruajtur njëkohësisht një linjë fabulare, me një strukturë kompozicionale unike: rrëfim dhe vetëm rrëfim, pa ndarje klasike në kapituj e nënkapituj.

Gashi e vlerëson lart autorin e romanit “Gosti në natën e parë të vjeshtës”, duke thënë se Gëzim Aliu është mjeshtër i rrëfimit, gërmues i psikes së njeriut, një detajist i përkryer në imazhe, figura dhe situata narrative.

“Gosti në natën e parë të vjeshtës”, lexuesit mund ta gjejnë në librarinë Artini, te Instituti Albanologjik si dhe tek sheshi i librit, më saktësisht në sheshin “Zahir Pajaziti”. Libri është botuar nga shtëpia botuese “Parnas”./ KultPlus.com

“Trilogia Albanica” e Stefan Çapalikut, botohet në Paris

“Trilogia Albanica” është përmbledhja më e fundit me drama e Stefan Çapalikut, botuar në Paris nga “L’espace d’un Instant”.

Në këtë libër përfshihen tri pjesë teatrore: “I’m from Albania” (monodramë), “Allegretto Albania” (komedi serioze) dhe “Made in Albania” (dramë), të përkthyera në frëngjisht nga Anna Couthures dhe me një parathënie nga Ardian Marashi.

Monodrama “I’m from Albania” është shkruar në vitin 2005 dhe është vënë në skenë nga Laboratori Teatror X05 me regji nga Ema Andrea dhe Stefan Çapaliku, në interpretimin e Ema Andreas. Kjo monodramë u shfaq 21 herë në Tiranë, Elbasan, Durrës, Korçë, Vlorë, Shkodër, si dhe në Tetovë, Manastir, Ohër, Tuz, Braila, Bari, Paris.

Komedia serioze “Allegretto Albania” e pati premierën e vet botërore në vitin 2007 në Teatrin e Kombësive në Shkup me regji të Alfred Trebickës. Po këtë vit, “Allegretto Albania” u shpall pjesa më e mirë e vitit nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Produksioni i dytë i kësaj komedie ndodhi një vit më vonë në Teatrin Kombëtar Shqiptar me regji të Altin Bashës. Në vitin 2009, sipas përkthimit të Marius Dobrescus, u realizua versioni rumun në Teatrin “Odeon” të Bukureshtit me regjinë e Cristian Dumitrus.

Në vitin 2010 “Allegretto Albania” përfaqësoi Shqipërinë për herë të parë në bienalen e teatrit “New plays from Europë” në Wisbaden e Mainz të Gjermanisë, ku mori çmimin e parë nga Forumi Ndërkombëtar i Kritikës. Më 2011 kjo pjesë u vu në skenë në Ambassador Theatre në Washington DC ,me regji nga Joe Martin dhe me përkthimin e profesorit Mark Stringham. Më 2014 u realizua produksioni i pestë i saj në Teatrin Kombëtar të Malit të Zi me rregji nga Idriz Gjoka dhe me përkthimin e Agron Camajt.

Drama polifonike “Made in Albania” u shfaq për herë të parë në prill të vitit 2016 në Teatrin Kombëtar Eksperimental në Tiranë nën regjinë e Altin Bashës dhe u shfaq 25 herë në Tiranë, Durrës, Prishtinë, Tetovë, ku edhe mori çmimin si drama më e mirë në Festivalin Ballkanik të Dramës Nacionale./ KultPlus.com