Zonja e parë që luftoi për të drejtat e grave dhe të varfërve

Disa javë para se të vdiste, Eva Peron qëndroi pranë burrit të saj për inaugurimin e tij të dytë si President i Argjentinës. Kanceri i saj i qafës së mitrës, thuhet se e kishte bërë atë aq të dobët, saqë ajo qëndronte brenda një lloj kafazi të bërë nga suva dhe tela për të mbështetur gjymtyrët e saj të dobëta. Ajo peshonte pak më shumë se 5-6 gurë (36 kg).

Ka gra që kanë lënë gjurmë në kohë dhe që kanë ndryshuar historinë, që kanë thyer normat e vendosura nga shoqëria dhe që kanë treguar se janë të afta të bëjnë të njëjtën gjë ose më shumë sesa meshkujt që përpiqeshin t’i fusnin në rolin e bashkëshorteve dhe të nënave. Mari Kyri, Frida Kahlo, Amelia Earhart, Virginia Wolf … Eva Peron. Zonja e parë argjentinase mori një rol të rëndësishëm në jetën politike dhe sociale të kombit të saj, duke qenë një mbrojtëse e shtresave të varfra dhe e të drejtave të grave.

Fëmijëria e Eva Duartes, vajza e ligjshme e Juan Duartes dhe e Juana Ibarguren u karakterizua nga varfëria dhe kontakti me botën rurale. Në moshën 15 vjeçare shkon në Buenos Aires dhe fillon të punojë si aktore, modele dhe folëse në radio. Në vitin 1945 kur kishte fituar pak njohje martohet me kolonelin Juan Domingo Peron dhe një vit më vonë pas zgjedhjeve të të shoqit si president i Argjentinës do të merrte krahë nga jeta politike, një nga më aktivet dhe më të rëndësishmet e shek XX. Evita Peron, siç e thërrisnin shtresat e varfra të shoqërisë argjentinase, e përdori pozicionin e saj për të përmirësuar gjendjen e punëtorëve dhe të grave në vendin e Amerikës Jugore.

Në vend që të pranonte poste zyrtare në qeverisje preferoi të aplikonte politikat e saj sociale përmes fondacionit “Eva Peron”. Fondet publike me të cilat mbahej u përdorën për ndihma sociale si ndërtime spitalesh dhe shkollash ose në programe mbështetëse për shtresat e varfëra. Veproi si ndërmjetëse mes qeverisë dhe sindikatave dhe themeloi partinë peroniste femërore me të cilën mbrojti të drejtat e grave dhe mori votën femërore në vitin 1947.

Zonja e parë do të vdiste më 26 korrik 1952 nga kanceri i mitrës duke shënuar kështu edhe rënien e peronizmit që do të shtypej tre vite më vonë nga një grusht shteti me karakter ushtarak. Rëndësia që pati ky personazh femëror për atë periudhë kur gratë ishin të nënshtruara nga meshkujt e shndrroi automatikisht në një figurë të admirueshme dhe të njohur në të gjithë botën. Emri i saj ka kaluar në histori si sinonim i luftës për të drejtat e grave, bindjes dhe stilit femëror. / cbc.al / KultPlus.com