Osmani në takimin me Biggin: Synojmë forcimin e rolit të gruas dhe mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ka pritur sot në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Australisë në Kroaci, përgjegjës për Kosovë, Adrea Biggi.

Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, Presidentja Osmani i ka vlerësuar të shkëlqyeshme dhe në këtë kontekst, ka veçuar mbështetjen e Australisë ndaj Kosovës në rrugën për liri dhe pavarësi, shtet-ndërtim dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Zyra e Presidencës ka njoftuar se Osmani në këtë takim ka thënë se shteti i tij ka kontribuuar edhe gjatë luftës në Kosovë, duke strehuar refugjatët kosovarë, për të cilën gjë ka falënderuar Biggi. Gjithashtu, ajo ka kërkuar që mbështetja e Australisë për Kosovën të vazhdojë edhe më tej, në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, por edhe në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Tutje, sipas presidencës, njoftohet se të dy palët kanë diskutuar edhe për rëndësinë e agjendës së gjelbër, për të cilën gjë Osmani ka theksuar se është ndër objektivat e saj prioritarë, së bashku edhe me forcimin e rolit të gruas në shoqërinë kosovare, si dhe mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta. /KultPlus.com

Raporti rajonal i BIRN-it vlerëson Zyrën e Presidentes Osmani, institucioni më transparent në Ballkanin Perëndimor

Rrjeti Ballkanik i gazetarisë Hulumtuese- BIRN, ka publikuar një raport rajonal vlerësues të transparencës qeveritare dhe llogaridhënies në Ballkanin Perëndimor, në të cilin Zyra e Presidentes Vjosa Osmani gjatë kohës sa ajo ishte ushtruese detyre është cilësuar institucioni  më transparent në rajon në vitin 2020, përcjellë KultPlus.

Vlerësimi ka përfshirë institucione nga Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Sipas Raportit të BIRN, të dhënat e Zyrës së Presidentit të mëparshëm ishin krejtësisht e kundërta; kërkesat për të drejtë informimi nuk merrnin asnjë përgjigje ose refuzoheshin pavarësisht detyrimit ligjor.

“Që nga 5 nëntori 2020, kur Vjosa Osmani u emërua Presidente në detyrë e Kosovës, të gjitha kërkesat për të drejtë informimi nga gazetarët e BIRN (si fatura shpenzimesh, të dhëna financiare, ose procesverbale takimesh) janë zbuluar plotësisht, dhe në një kohë rekord, madje edhe para përfundimit të afatit ligjor”, thuhet në Raportin e BIRN-it.

Për periudhën 6 nëntor 2020 e deri ne fund te vitit 2020, Zyra e Presidentes ka pranuar 9 kërkesa për qasje ne dokumente publike. Këto kërkesa janë bërë një nga një person fizik, një  nga një anëtarë i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitet, Rregullore te Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, si dhe shtatë nga mediat.

Në një diskutim të organizuar nga BIRN, Artan Murati, zëvendësshef i stafit të Presidentes, ka thënë se kjo transparencë e Zyrës është më shumë se vlerësim, përgjegjësi.

Sipas tij, Zyra e Presidentes, është dhe do të jetë e hapur ndaj çdo kërkese të shtruar, duke ofruar informacionet e kërkuara.

“Kemi hapur Zyrën përballë mediave, duke lehtësuar punën e tyre dhe duke dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë tonë për transparencë të plotë. Një hapje e tillë përballë kërkesave nga më të ndryshme jemi plotësisht të bindur se ka ndikuar edhe në besimin e qytetarëve në institucionin e Presidencës”, ka potencuar Murati.  Më tej, ai ka thënë se ekziston vullneti i plotë i Presidentes të vendit, zonjës Vjosa Osmani që Zyra e Presidentes të jetë e hapur plotësisht si në vendimet që merr, po ashtu edhe në shpenzimin e parasë publike.

“Ky çmim sot, është një inkurajim për ne që të vazhdojmë me po këtë gatishmëri, që të jemi të hapur përballë secilës kërkesë, përballë secilit qytetarë në raport me secilin vendim apo shpenzim që bëhet në kuadër të Zyrës së Presidentes. Do të synojmë që të kemi qasje proaktive në këtë drejtim, duke shikuar mundësinë që dokumentet jo-sensitive të publikohen nga vetë Zyra”, ka theksuar në debat, Murati. / KultPlus.com

Zyra e Presidencës i reagon Petar Petkoviq për deklaratat lidhur me kishat serbe në Kosovë

Shefi i Zyrës së Presidencës, Blerim Vela ka reaguar ndaj një deklarate të drejtorit të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq se një numër i madh i kishave serbe në Kosovë kanë qenë të ekspozuara nga “sulmet dhe përdhosjet”.

Vela përmes një cicërime në Twitter ka thënë se zyrtarët e Serbisë po vazhdojnë fushatën e tyre dezinformuese.

Sipas tij, këto pretendime të pabaza vetëm i rrisin tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Zyrtarët e Serbisë vazhdojnë fushatën e tyre dezinformuese me pretendime të pabaza, të cilat vetëm rrisin tensionet ndërmjet vendeve tona. #Kosova ka një histori të dëshmuar prej shekujsh të harmonisë ndërfetare dhe është e përkushtuar për të mbrojtur trashëgiminë e saj kulturore / fetare”, ka shkruar Vela në Twitter.

Petkoviq kishte thënë se “Sulmet në tempujt tanë janë të drejtuara tek dëbimi i serbëve nga vendet tona qindra vjeçare, duke fshirë të kaluarën dhe shpirtëroren, në mënyrë që të shkatërrojnë çdo gjurmë të historisë së popullit serb”. / KultPlus.com