Presidenca e Kosovës reagon për marrëveshjen Serbi dhe Rusi, Vela: Deri kur BE-ja do ta tolerojë këtë sjellje?

Së fundmi është raportuar se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ku është bërë e ditur se Serbia dhe Rusia ka nënshkruar një marrëveshje tre vjeçare për furnizim me gazin rus.

Për këtë marrëveshje ka reaguar shefi i stafit të presidencës së Kosovës, Blerim Vela, i cili ka pyetur Bashkimin Evropian mbi çështjen se deri kur do ta tolerojë këtë sjellje të Serbisë.

“Putin dhe Vuçiq ranë dakord në një telefonatë sot se Rusia do të vazhdojë furnizimin me gaz natyror për Serbinë dhe dy vendet do të forcojnë partneritetin e tyre. Serbia, një vend kandidat për në BE, në vend që të përafrohet me sanksionet e BE-së thellon bashkëpunimin me Rusinë. Deri kur BE-ja do ta tolerojë këtë?”, ka shkruar Vela në Twitter. /KultPlus.com

Presidenca reagon për sulmin në veri: Serbia do të dështojë, shteti i së drejtës do të mbizotërojë

Gjatë ditës së sotme është raportuar për një sulm që ka ndodhur në veri të Kosovës drejt Policisë së vendit, transmeton KultPlus.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti kanë mbajtur një konferencë për media ku edhe kanë dhënë detaje për këtë sulm.

Për këtë sulm ka reaguar edhe shefi i kabinetit të Presidencës, Blerim Vela, i cili ka thënë se këto veprime të shoqëruara me tentativa dezinformuese synojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë.

“Ditët e fundit, Serbia dhe strukturat e saj kriminale kryen disa sulme që synonin Policinë e Kosovës në veri. Këto veprime të shoqëruara me tentativa dezinformuese synojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë dhe politike në Kosovë. Ata do të dështojnë, shteti i së drejtës do të mbizotërojë”, shkruan Vela në “Twitter”. /KultPlus.com

Presidentja Osmani do të vizitojë Shtetet e Bashkuara në prill dhe maj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit prill dhe muajit maj, përcjell KultPlus.

Këtë gjë e ka konfirmuar Shefi i stafit të Presidencës, Blerim Vela, në emisionin “Rubikon me Adriatik Kelmendin”.

“Presidentja i ka dyert e hapura në ShBA, në muajin prill dhe maj do të ketë vizitë në SHBA, do të ketë takime të niveleve të ndryshme, qoftë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongresin Amerikan. Ajo ka ftesë nga zyrtarë të ndryshëm të Shtëpisë së Bardhë që të ketë takime me ata. Disa në Shtëpinë e Bardhë disa në Kongres”, ka thënë Vela.

KultPlus do t’iu mbajë të informuar sapo të bëhet e ditur edhe agjenda zyrtare e kësaj vizite. /KultPlus.com

Zyra e Presidencës i reagon Petar Petkoviq për deklaratat lidhur me kishat serbe në Kosovë

Shefi i Zyrës së Presidencës, Blerim Vela ka reaguar ndaj një deklarate të drejtorit të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq se një numër i madh i kishave serbe në Kosovë kanë qenë të ekspozuara nga “sulmet dhe përdhosjet”.

Vela përmes një cicërime në Twitter ka thënë se zyrtarët e Serbisë po vazhdojnë fushatën e tyre dezinformuese.

Sipas tij, këto pretendime të pabaza vetëm i rrisin tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Zyrtarët e Serbisë vazhdojnë fushatën e tyre dezinformuese me pretendime të pabaza, të cilat vetëm rrisin tensionet ndërmjet vendeve tona. #Kosova ka një histori të dëshmuar prej shekujsh të harmonisë ndërfetare dhe është e përkushtuar për të mbrojtur trashëgiminë e saj kulturore / fetare”, ka shkruar Vela në Twitter.

Petkoviq kishte thënë se “Sulmet në tempujt tanë janë të drejtuara tek dëbimi i serbëve nga vendet tona qindra vjeçare, duke fshirë të kaluarën dhe shpirtëroren, në mënyrë që të shkatërrojnë çdo gjurmë të historisë së popullit serb”. / KultPlus.com