72 vjet nga krijimi i Teatrit “Migjeni”

24 Nëntor, 2021 - 10:00 pm

Teatri “Migjeni” në Shkodër feston sot 72 vjetorin e krijimit.

Trupa profesioniste e teatrit “Migjeni” u krijua me 24 Nëntor 1949, në zbatim të vendimit nr. 572 të Këshillit të Ministrave të asaj kohe.

Trupa përbëhej nga një regjisor Andre Skanjeti, tetë aktorë profesionistë Çezarina Çiftja, Antonjeta Fishta, Vitore Nino, Adem Kastrati, Ndoc Deda, Ndrek Prela, Paulin Lacaj dhe Tef Krroqi dhe 12 aktorë gjysmë profesionistë, Tinka Kurti, Bahrije Mani, Fadile Mustafa, Zef Jubani, Lin Gjoni, Enrik Prendushi, Gjovalin Çarkashija, Halim Kali, Kolec Tarfuku, Çesk Vuksani, Muhamet Ulqinaku.

Pjesë e trupës ishte një sufler Palok Kurti, një skenograf Pjetër Deda, dy marangozë Lec Prendi, Kin Marashi, një rekuizitjer Ndoc Bazhdari, një rrobaqepës Ejll Gjushi, një llogaritar Zef Jubani.

Premiera e parë u shfaq më 26 maj 1950. Gjatë 71 viteve, kjo trupë ka realizuar 220 premiera, me një mesatare prej 3.01 në vit. Nga këto 220 premiera ishin 133 drama, 64 komedi, 6 teatër poetik, 4 monodrama, 10 drama dhe 1 komedi për fëmijë.

Në 72 vite kanë interpretuar 92 aktorë profesionistë, nga këto 33 aktore femra dhe 282 aktor amatorë.

Në 220 premierat kanë kontribuar 70 dramaturgë shqiptarë, nga këto 1 grua, 43 regjisor nga këto 5 regjisore, 45 skenografë nga këto 2 skenografe, 5 koreograf, 9 kostumografë, nga këto 7 kostumografe.

Sipas teatrit “Migjeni” ky numër është më i madh në realitet, por para viteve ’90 kostumet i kanë dizenjuar skenografët dhe nuk janë shënuar në posterat e shfaqjeve.

Në vitin 2019 teatri “Migjeni” u vlerësua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. / KultPlus.com

Të ngjajshme