80-vjetori i Teatrit kombëtar, mes sfidave, kritikave e premtimeve për statusin e artistit

24 Maj, 2025 - 4:18 pm

80-vjetori i themelimit të Teatrit Kombëtar në Shqipëri, është kujtuar në Arturbina, duke rivënë në skenë shfaqjen e parë që shënoi themelimin, “Topazin” e duke ekspozuar pjesë nga arkivat e mbetura për të. Imazhet e dokumentet përbëjnë sot dëshmitë e vetme, ndërsa dëshmitarët nuk jetojnë më dhe me ta, nis edhe bjerrja e kujtesës. Artistët e përkufizuan teatrin në forma të ndryshme.

Ndërsa themelimi i trupës në Tiranën e pasluftës sillte sfida, disa prej të cilave do të kuptoheshin më vonë me konsolidimin e sistemit politik që pasoi luftën, në kontekstet e reja sociale e politike, edhe teatri i sotëm ka sfidat e vetat, që shkojnë përtej buxheteve e politikave. Liria mundet të jetë krejt fluide, e kushtëzuar nga rrethanat e ndërvarësitë. Një plejadë artistësh në zë, të pranishëm në festën e 80-vjetorit, e përdorën skenën për të artikuluar, shqetësimet e tyre. Përtej një godine që nuk është më, duket se mungon edhe vëmendja.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, pati mesazhe për të ndarë sa i takon problematikave të artit. Duke përdorur postin e tij si titullar, siç rrallë bën në laminë e kulturës, ai adresoi në fjalim disa prej shqetësimeve.
“Nuk rri dot pa bërë një ndjesë, në teatër sepse kam qenë pak prezent. PO mundohemi shumë që në strategjinë e re të artit e kulturës 2026-2030 të kemi në qendër Statutin e artistit, që e di që shumë prej jush e kanë në mendje dhe e përtypin. Në rëndësinë që ka liria e tij dhe të kemi një respekt edhe ndaj meritokracisë dhe mundësive sa më të mëdha”, tha Gonxhja.

Tetë dekada më pas, teatri përballet, së pari me mungesa hapësirash, së dyti me pamjaftueshmëri buxhetesh e së treti me rrjedhojat e mungesës së politikave afatgjata, vizioneve e zaptimeve që ndërsa tkurrin skenën edhe e zhbëjnë atë./ balkanweb/ KultPlus.com

Të ngjajshme