займ на карту онлайн потребительский кредит

Ansambli “Shota”, mbrëmë solli një koncert të fuqishëm artistik në TKK (FOTO)

27 Nëntor, 2017 - 10:48 am

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, për nderë të 28 nëntorit, Ditës së Flamurit, mbrëmë solli një koncert të pasur artistik i cili ishte titulluar “Festa e Bashkimit”, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Ky koncert barte dedikime të rëndësishme që lidhen me historinë e kombit shqiptar, pasi që mbrëmë ky koncert iu kushtua edhe ditëlindjes së komandantit Adem Jashari dhe 20 vjetorit të daljes publike të UÇK-së.

Të gjithë që ngjiteshin në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës bartnin një mesazh të veçantë të simbolikës së këtij koncerti festiv, me veshje kombëtare të interpretuesve, e shqiponjën që reflektohej mbi njërin skaj të skenës, të krijonte ndjesinë e vërtetë të një festë të madhe kombëtare dhe të rikujtimit të përpjekjeve heroike të Adem Jasharit dhe UÇK-së. Tingujt, zëri, lëvizjet e trupit e të instrumenteve që vinin në një koordinim më njëra-tjetrën krijonin një harmoni të përsosur ku dukej që gjithçka po frymonte shqip.

“Mora Fjalë” e interpretuar nga Sarandë Aliu, ishte një nga këngët e para që në këtë koncert i kushtohej Adem Jasharit, e që arriti të nxjerrë emocionet e publikut që më shumë përkushtim e duartrokitje po e përcillnin këtë program. Po ashtu këngë dedikuar figurës historike të Adem Jasharit, solli edhe këngëtarja Majlinda Cikaqi me interpretimin e këngës “Po ku je, heu, burrë i dheut”, dhe më pas dhe grupi polifonik “Bilbili”, me interpretimin e këngës “Cili je ti more burrë”. Grupi polifonik “Bilbili” erdhi nga Vlora për ta pasuruar këtë program me interpretimin e dy këngëve.

Dukej se koncerti arrti kulmin me këngën “Heu Drenicë, heu trungu i lisit” që erdhi në interpretimin e Denik Prizrenit, e që plotësohej mrekullueshëm nga kori i ansamblit, i cili dirigjohej nga Ylber Asllani. Emocionet u shumëfishuan në momentin kur njëri nga pjesëtarët e ansamblit solli flamurin kuq e zi në skenë.

Po ashtu Trupa e Ansamblit “Shota”, prezantoi tri valle të fuqishme të cilat erdhën në koreografinë e Fehmi Shaqirit, vallja “Festa e Bashkimit” është ajo që bëri publikun të krijonte një muzikalitet edhe më të fuqishëm përmes duartrokitjeve të ngadalta, e shpesh fishkëllimave të zgjatura. Të gjithë interpretuesit u pritën dhe u përcollën me orkestrën që qëndroi pa lëvizur në skenë. Kjo valle arrin në momentin më të bukur kur pasi burrat përfundojnë vallen e tyre, vihen përballë njëri tjetrit dhe me duart e ngritura lart duartrokasin lojën e valltareve të cilat të vendosura në një rreth lëvizin lehtë duart e tyre. Plisi dhe shamia e kuqe ishin dy simbole që nuk u mungonin pothuajse asnjërit nga interpretuesit.

Po ashtu me interpretime të fuqishme erdhën edhe këngëtare e njohur si Violeta Kukaj–Retkoceri, Mirvete Bajrami- Haziri, Riza Bytyçi e Liridon Sadriu.

Koreografi Fehmi Shaqiri tha për KultPlus, se edhe pse ka një jetë që merret me art, kjo natë i solli emocione të jashtëzakonshme.

“Në nëntor kemi dy tregime shumë të mëdha, nëntori për ne është histori, është gjakosje për atë liri që në mënyrë të padrejtë na e kanë mohuar. Kam tetë vite që punoj me “Shotën” dhe më bëhet shumë qejfi sepse ishin kombinuar shumë bukur edhe me vokalin pasi që Ylber Asllani ka punuar jashtëzakonisht mirë. Programi ka qenë shumë mirë i menaxhuar sepse nuk është e thjeshtë që koncerte tematike të momente të tilla siç është Pavarësia e vendit apo figura historike si është heroizmi i Adem Jasharit dhe e them me sinqeritet se kam një jetë që kam kaluar me art por sonte jam emocionuar jashtëzakonisht shumë. Në Kosovë gjej një mbështetje të jashtëzakonshme dhe është një ndjenjë e përkryer të punosh me ansamblin “Shota”, puna e tyre është vërtetuar edhe me trofetë ndërkombëtare që kanë marr ata dhe janë pikërisht këta që përfaqësojnë kulturën kombëtare të gjithë kombit”, pohoi Shaqiri, duke vazhduar të thotë se edhe pse ka shumë vite që punon me valltarët këtë natë ishte i magjepsur nga loja e tyre.

“U ndjeva jashtëzakonisht i kënaqur dhe ndonjëherë më hidhej të ngjitesha në skenë dhe t’i përqafoja të gjithë”, tha përplot emocion koreografi Shaqiri.

Drejtori artistik i këtij programi, Ylber Asllani tha për KultPlus, se ansambli “Shota” edhe me këtë koncert e dëshmoi që dita e ditës po rritet në aspektin kualitativ mirëpo ai po ashtu theksoi se kjo mbrëmje do duhej të vinte pikërisht në Ditën e Flamurit, gjë që atyre u pamundësohet për shkak të mungesës së një salle.

“Ansambli si ansambël shtetëror e ka strukturën e vet dhe organizimi nuk është aspak probleme për neve, problemi ynë kryesor është salla sepse gjithmonë duhet të kërkojmë lejë. Nuk varet preje neve se ku dhe kur do ta bëjmë koncertin, është një detaj i vështirë për neve për arsye se ky koncert i konceptuar në këtë mënyrë ishte dashur të jetë pikërisht në Ditën e Flamurit dhe të transmetohet drejtpërdrejt. Ansambli po rritet dita e ditës në aspektin kualitativ dhe veçantia e këtij koncerti është gjithnjë reagimi i publikut për punën tonë për fat të mirë ne artistët dimë të ngopemi me ato duartrokitje më se të domosdoshme për neve sepse ansambli nuk paguhet aq sa duhet përkundër punës që e bën”, tregoi Asllani për KultPlus.

Valltari Besnik Grajçevci tregoi për KultPlus, disa detaje rreth organizimit të këtij koncerti ndërsa theksoi se sonte çmimi më i madh që morën janë duartrokitjet e publikut.

“Ansambli “Shota” është në kontinuitet të punës së përhershme mirëpo gjithmonë para eventeve të caktuara këshilli artistik e përpilon programin i cili duhet t’i përshtatet karakterit të manifestimit dhe mbi atë përgatitje dhjetë ditë bëjmë përgatitje teknike, komisionale dhe artistike për nivelin e duhur që prezantuam sot. Jemi munduar që edhe në këtë program t’i përmbahemi qëllimit të festes së 28 Nëntorit, daljes publike të UÇK -së dhe ditëlindjes së komandantit Adem Jasharit. Për artistin çmimi më i madh është duartrokitja e publikut, andaj mendojmë që sonte kemi sjellë emocion dhe kemi shprehur vlera që publiku u nda i kënaqur dhe ka festuar me zemër”, tha Grajçevci për KultPlus.

Koncerti i radhës nga ansambli “Shota” do të shfaqet në Gjilan më 27 Nëntor, me rastin e zbulimit të shtatores së Idriz Seferit./ KultPlus.com

Të ngjajshme