“Eksperimenti” me regji nga Ekrem Sopi vjen premierë në TKK

1 Tetor, 2019 - 12:15 pm

“Eksperimenti” i autorit Agush Mulliqit i cili është tekst fitues i konkursit kombëtar për dramë shqipe “Katarina Josopi” dhe fitues i “Netët e dramës shqipe” në Tiranë, tashmë vjen i inskenuar si premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Shfaqja vjen nën regjinë e Ekrem Sopit, ndërsa luajnë aktorët: Dardan Gashi dhe Teuta Krasniqi.

Në këtë shfaqje bëhet fjalë për një çift që është duke e përjetuar krizën e moshës së mesme përballet me të kaluarën e tyre. Ata sa ishin student, bashkë me çiftin tjetër Besën dhe Astritin e përbenin një shoqëri të fortë dhe rebele. Ata ishin të etur për ta shijuar jetën dhe duke menduar se nuk janë duke e bërë një gjë të tillë, ata vendosin që të ndryshojnë diçka, dhe ideja ishte që të eksperimentonin. Të dy meshkujt vijnë me propozimin që ti ndërrojnë të dashurat e tyre vetëm për një natë dhe këtë e quajnë eksperiment. Të dashurat e tyre e pranojnë propozimin. Eksperimenti ndodh, por ai nuk ndodh vetëm një herë ashtu si ishte ujdia, por vazhdon të ndodh fshehtas duke e tradhtuar të gjithë njëri tjetrin.

Kjo lojë për ta sa ishin student dukej vetëm një eksperiment i një episode të jetës, por në të vërtetë ai ishte një eksperiment me pasoja jetësore. Tash që janë në moshën e mesme, ata për çdo dështim në jetën e tyre familjare dhe profesionale e fajësojnë njëri tjetrin se pse propozuan e pse pranuan të eksperimentonin seksualisht. Burri e ka dilemën se cili ishte më i mirë “unë apo Astriti” , ndërsa Gruaja e lodhur nga jetesa me burrin e saj, tërë kohën kërkon ndarjen. E të dy e akuzojnë njëri tjetrin se ajo e do Astritin, ndërsa ky e do Besën. Në tërë këtë tollovi grindjesh, përmes skenave të retrospektivës shohim njohjen në mes tyre, dashurinë e tyre dhe shkatërrimin e tyre.

Skenografia e shfaqjes është realizuar nga Dhurim Ismaili, ndërsa në piano: Alzan Gashi.

Premiera vjen më datë 2 tetor, në ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme