займ на карту онлайн потребительский кредит

Arti dhe solidariteti bashkoi gratë në kohë pandemie, si rezultat sollën dy premiera në FemArt

21 Tetor, 2020 - 11:26 am

Medina Pasoma

Gra të suksesshme të profileve të ndryshme i bashkoj krijimtaria artistike, të cilat i diskutuan në panelin ‘’Artivizmi-Arti dhe solidariteti në kohë pandemie’’. Eliza Hoxha, Valdete Idrizi, Rajmonda Ahmetaj dhe Zana Hoxha shpalosën frymëzimin që patën në kampin e artisteve dhe aktivisteve, e cila u kurorëzua me publikimin e shkrimeve të tyre në një broshurë në edicionin e 8-të të Festivalit FemArt, shkruan KultPlus.

Pandemia bllokoj aktivitet kulturore në rrafshin global mirëpo, frymëzimet individuale veçse u rritën më shumë, duke ia dëshmuar botës edhe njëherë fuqinë dhe nevojën për art. Një adresë e bashkimit të këtyre krijimeve u bë kampi i artisteve dhe aktivisteve i organizuar nga ‘’ArtPolis’’. Qëndrimi i përbashkët në Kukaj në datat 26-29 qershor duke mbajtur sesione pune grupore për ushtrime të lëvizjeve skenike, shkrim kreativ, meditim e çlirim shpirtëror, i bëri aktivistet dhe artistet të ndjehen tejet mirë dhe të mbetet ky organizim përherë në mendjet e tyre.

Ato folën, shkruan, u paraqitën me gjuhën e artit, duke e sfiduar veten në çdo fushë, e duke u vetëmjaftuar nga ndjesia estetike që ndjenin. Të ndara në 4 grupe pune, krijuan një lidhje inspiruese e kreative mes vete, duke sjellur si përfundim 4 performanca artistike, 2 prej të cilave u dhanë premierë në FemArt si dhe shkrimet e tyre që adresonin çështje sociale dhe qëllimet e tyre. Fjalët e vargjet të cilat pasqyruan shpirtrat e tyre, u kthyen në një broshurë, e cila përmban një laramani të pikëpamjeve dhe u promovua përpara publikut në panelin e diskutimit në ditën mbyllëse të Festivalit FemArt.

Njëra nga organizatoret, Jetbardha Selmani për KultPlus tregoj se bashkimi në një kamp i 20 grave  të cilat janë artiste e aktiviste do të mbetet një përvojë tejet e veçantë për to.

“Gjatë kohës sa kemi qenë në pandemi e kemi pa që është shumë e nevojshme t’i mbledhim artistet dhe aktivistet që ta realizojmë së bashku një kamp dhe për të mbledhur ide, që ato t’i kthejmë në krijime artistike, të performancave dhe paneleve”, shtoj tutje Selmani përgjatë promovimit të broshurës.

Nën moderimin e shkrimtarit Shpëtim Selmani, gratë ndanë përvojat individuale dhe kolektive artistike. Diskutimi filloj me fjalët e Selmanit, i cili fliste për dokumentimin e konteksteve sociale e politike dhe të kohës nga shkrimtarët e ndryshëm, teksa përmendi veprën ‘’Murtaja’’ të Albert Kamys, ndërkaq po të njëjtën kishin bërë edhe gratë, të cilat përmes artit kishin shpalosur edhe sfidat gjatë pandemisë.

‘’Ky kamp ka qenë shumë i rëndësishëm në shpërfaqjen e emocioneve, e reflektimeve që i kemi përjetuar secili në mënyrë individuale’’, tha Shpëtim Selmani.

Zana Hoxha, si themeluese e FemArt theksoj se iniciativa për këtë kamp kishte nisur me qëllim të arritjes së paqes e harmonisë, solidaritetit e inspirimit.

‘’Iniciativa për kampin e artisteve dhe aktivisteve  ka ardhur si nevojë në vitet e kaluara që të bëhemi bashkë, ku qëllimi ka qenë të gjejmë forma të të krijuarit pa pasur një agjendë strikte për dhe rezultatet të vijnë natyrshëm’’, u shpreh Hoxha.

E rëndësishme në organizimin e këtij kampi për Zanën ka qenë mbledhja e artisteve dhe aktivisteve të cilat janë të lidhura me artit në mënyrë që të sjellin ndryshim në shoqëri.

Njëra ndër pjesëmarrëset në kamp ka qenë edhe aktivistja politike, Valdete Idrizi e cila përgjatë diskutimit tregoj se aty kishte shkruar e aktruar për herë të parë.

‘’Siguria që e ka dhënë kampi, ka krijuar hapësirën për t’u ndjerë shumë rahat dhe të shpalos e reflektoj për atë çfarë ndjej’’, u shpreh Idrizi.

Si politikane e cila ka rol në vendimmarrje, ajo premtoj publikisht se do të bëj maksimumin e saj në mënyrë që kampi të jetoj për shumë edicione dhe shumë gra të tjera të frymëzohen nga një atmosferë kolektive artistike.

Për të ndarë përvojën e saj, prezente ishte edhe këngëtarja, tanimë politikania Eliza Hoxha. Rrugëtimin me shkrim ajo e ka nisur pas rikthimit nga studimet në Belgjikë, të cilën e ka nxitur mos dokumentimi i gjërave në Kosovë. Kështu ajo tregon se ia kishte lënë vetes synim që të shkruaj për çështjet sociale në kontekst urban, jetën kulturore por edhe ndjenjat personale, dikur për të filluar edhe me tekstet e këngëve të saj.

‘’Shkrimi u bë një platformë ku unë mund të them atë çka mendoj, më brengos dhe më preokupon në raport me qytetin, veten; plotë gjëra që i kam bërë e që s’kam ditë me i sjell bashkë: muzikën, ekspozitat, të shkruarit, mendimin konceptual brenda një hapësire të përbashkët’’, tha Hoxha, duke theksuar se tani përmes artit e ka këtë fuqi të bashkimit.

Ajo beson se gërshetimi i artit dhe aktivizmit sjell një magji në vete dhe shtoj se ndjehet e mahnitur nga rrëfimet, çiltërsia dhe aktivitetet e përbashkëta përgjatë kampit.

Rajmonda Ahmetaj ishte mësuar me artin skenik por, jo edhe me pikturën e shkrimin të cilat i provoj për herë të parë në kampin e organizuar nga ‘’ArtPolis’’.

‘’Eksperiencë shumë e mirë, veç ideja me u mbledh në një vend dhe me i fol gjërat që janë shumë më të mëdha sesa ai vend, ishte diçka shumë e mirë”, vlerëson aktorja Ahmetaj.

Rajmonda beson se ky tubim i grave ishte qelizë e shumë gjërave të bukura, të cilat kanë filluar të dalin në pah dhe do të vazhdojnë këtë rrugëtim edhe tutje.

Përtej panelisteve, edhe gratë pjesëmarrëse në publik nuk lanë pa i ndarë përvojat e tyre. Natyra Kallaba, pikërisht në atë ambient ka nisur idenë e saj për sjelljen e një dimensioni ndryshe të gjërave në formën e një shfaqje. Jeta private dhe profesionale e një mësuese është tematika që ajo ka trajtuar, duke e marrë pikërisht këtë profil për shkak të imponimit të vazhdueshëm që iu bëhet vajzave ndër gjenerata për të zgjedhur këtë drejtim jetësor.

‘’Unë kam dashtë me tregu që një mësuese mund të ketë gjithçka që çdo kush mund të ketë. Me pasë një jetë të shthurur, dëshpërime e zhgënjime. Jemi mësuar gjithmonë me pa një mësuese perfekte, andaj ideja ime ka qenë që të hy më thellë atij profesioni dhe ta shohim më ndryshe”, theksoj Kallaba.

Në anën tjetër periudha jo e lehtë e pandemisë nuk kishte si mos të bëhej frymëzim artistik për dikë. Regjisorja Arlinda Morina në këtë kamp kishte nisur performimin e idesë së komedisë së saj ‘’covidi për covidin’’ ashtu siç ajo e quan, në të cilën tregohet periudha e mbylljes, stresi, ngrënia e tepruar, qëndrimi i gjatë në telefon dhe shprehi të tjera të karantinimit.

Broshura e cila doli në dritën e publikut përgjatë diskutimit mund të gjendet në faqet dhe ëebin e ‘’ArtPolis’’ dhe ‘’FemArt’’, teksa për kampin e artisteve dhe aktivisteve, organizatoret u shprehën se synojnë vazhdimësinë e organizimit ndër vite.

Në broshurë morën pjesë me shkrimet e tyre: Arta Lahu, Arta Mucaj, Aurita Agushi, Eliza Hoxha, Fitore Jashari, Linda Hyseni, Molika Maxhuni, Natyra Kallaba, Qëndresa Kajtazi, Rajmonda Ahmetaj, Sheqerie Buqaj, Teuta Gashi, Uresa Ahmeti dhe Valdete Idrizi./KultPlus.com

Të ngjajshme