Artpolis me shfaqje forum teatër dhe ekspozitë në Komunën e Lipjanit

7 Qershor, 2021 - 12:08 pm

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet në bashkëpunim me Komunën e Lipjanit, përkrahur nga CFD prezanton shfaqjen forum teatër dhe ekspozitën e klubit teatror të të rinjve të Lipjanit me titull “Çelësi Magjik” me 8 qershor, në ora 12:00, në Qendrën Kulturore “Tahir Sinani”, përcjellë KultPlus.

Nën regjinë e Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli dhe Ismail Kasumi, shfaqja adreson periudhën e pandemisë Covid-19 dhe të post-pandemisë, e cila vjen si një udhëtim në kohë. “Çelësi Magjik” shpërfaq papërgjegjësinë e njerëzve, rritjen e dhunës në familje, e luftën psikologjike me të cilën përballen personazhet. Pas shfaqjes personazhet do të diskutojnë me publikun lidhur me temat të cilat adresohen në shfaqje, duke e bërë kështu edhe publikun pjesë të saj.

Në shfaqje luajnë: Laurita Terpeza, Lerdi Salihi, Gerta Salihi, Zejnie Osmani, Erblina Krasniqi, Suhejla Mehmeti, Leonard Guci, Sadri Gashi, Ledona Reçica, Arbnora Krasniqi, Endresa Avdyli.

Ndërsa, pas diskutimit ndërmjet personazheve të shfaqjes dhe publikut, do të hapet një ekspozitë nga nxënësit, me temën e njëjtë.

Ekspozita vjen nga: Arbnora Krasniqi, Enesa Bytyqi, Mimoza Terpeza. / KultPlus.com

Të ngjajshme