Baleti Kombëtar i Kosovës do të sjellë një version të veçantë të “Le corsaire”

30 Shtator, 2018 - 10:31 am

Gili Hoxhaj

Baleti Kombëtar i Kosovës këtë javë do të shënojë edhe hapjen e sezonit me premierën e shfaqjes “Le corsaire”. Kjo shfaqje në tri akte, koreografinë e të cilës e kishte bërë Joseph Mazilier me muzikë të Adolphe Adam, fillimisht u prezantua nga balerinët e Théâtre Impérial de l’Opéra në Paris në janar të vitit 1856.

Kjo shfaqje e balerinëve kosovarë, shënon edhe shfaqjen e tretë për këtë vit të punuar nga kjo trupë. Koreografi Israel Rodriguez që nga fundi i muajit gusht është duk qëndruar në Prishtinë për të sjellë për publikun prishtinas një version me të veçantë të kësaj shfaqje, e cila do të shoqërohet me muzikë të Adolphe Adam dhe Ricardo Drigo.

“Jam duke bërë një adaptim me ndryshe dhe më të veçantë të kësaj vepre që zgjatë më shumë se tri akte, jam duke u përpjekur që ta sjellë një fund me ndryshe për Baletin Kombëtar të Kosovës, sipas Marius Petipa i cili e vuri në skenë në një mënyrë më modern në shekullin e 19-të”, tregoi Rodriguez për KultPlus.

Ai thotë se arsyeja përse e ka shtyrë drejt një version më të veçantë është për ta bërë këtë version më të adaptueshëm për trupën e baletit, dhe pasi që storja origjinale tashmë është dëgjuar dhe duke qenë paksa e komplikuar, ai shpreson që version i tij do t’i sjellë edhe kënaqësi publikun.

Performanca “Le corsaire” shënon bashkëpunimin e katërt me radhë të Rodriguez me Baletin Kombëtar të Kosovës. Koregrafi Rodriguez thotë se ky bashkëpunim, tashmë e ka bërë edhe më të lehtë gjithë procesin e punës. Ai thotë se është i impresionuar se përkundër problemeve financiare me të cilat po përballën balerinët kosovarë, ata janë të mbushur plot vullnet gjatë procesit të tyre të punës.

“Thjeshtësia që drejtori Ahmet Brahimaj dhe balerinët kanë në raport me mua, më bën më të vërtetë shumë të lumtur. Gjithmonë mundohem të përgatitem që t’ua jap më të mirën nga vetja ndërsa tanimë që e njohim njëri-tjetrin më mirë gjërat janë shumë më të lehta. Kësaj radhe po e shoh që po përballen me probleme financiare dhe pavarësisht kësaj secili e bën punën e vet me shumë përkushtim për të nxjerrë diçka të veçantë. Do të doja që të kenë më shumë përkrahje”, ka thënë në fund koreografi Rodriguez.

Pas një punë intensive, koreografi i shfaqjes thotë se tashmë janë gati për t’i dhënë më të mirën publikut që do të zë vend në ulëset e sallës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndërsa thotë se të gjithë ata që do të vijnë nuk do të zhgënjehen.

Baleti Kombëtar i Kosovës dy javë më parë është prezantuar në qytetin Ruse, Bullgari me shfaqjen “Xhuljeta pa Romeon” me koreografi nga Darrel Toulo.

Premiera e shfaqjes ‘Le Corsaire” vjen më 4 tetor, duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme