17 Qershor, 2025 - 4:57 pm
Teatri i Gjilanit sjell premierën e shfaqjes ‘Chatroom’, vepër e shkruar nga dramaturgu irlandez Enda Walsh, përcjell KultPlus.
E shkruar nga dramaturgu irlandez Enda Walsh dhe me regji nga Erson Zymberi, kjo vepër sjell në qendër gjashtë adoleshentë që takohen në një chatroom online. Ajo që nis si një bisedë e zakonshme mes të panjohurish, shndërrohet shpejt në një lojë të rrezikshme mendore, ku fjalët e shkruara marrin formën e dhunës më të pastër psikologjike.
Në vijim gjeni njoftimin e plotë:
📣 PREMIERË – CHATROOM | nga Enda Walsh, regjisor Erson Zymberi
📅 21 & 22 Qershor | 🕗 Ora 20:00
📍 Teatri i Gjilanit
Aktorë: Elton Tahiri, Andi Bajgora, Fiona Abdullahu, Rinesa Behluli, Drin Berisha
Skenograf: Bekim Korça, Kostumografe: Njomëza Luci, Dizajni i dritave dhe video artist: Burim Baftiu
Për shfaqjen:
Në një kohë kur bisedat virtuale zëvendësojnë kontaktin njerëzor, dhe vetmia shpesh maskohet pas ekraneve të ndritshëm, Chatroom është një dramë therëse dhe urgjente që eksploron errësirën psikologjike të adoleshencës moderne.
E shkruar nga dramaturgu irlandez Enda Walsh dhe me regji nga Erson Zymberi, kjo vepër sjell në qendër gjashtë adoleshentë që takohen në një chatroom online. Ajo që nis si një bisedë e zakonshme mes të panjohurish, shndërrohet shpejt në një lojë të rrezikshme mendore, ku fjalët e shkruara marrin formën e dhunës më të pastër psikologjike.
Chatroom nuk është thjesht një kritikë e botës digjitale – është një vëzhgim i mprehtë i mungesës së ndërlidhjes së vërtetë mes njerëzve. Pavarësisht se bashkëbiseduesit janë në të njëjtin qytet dhe moshë, ata janë të ndarë nga një distancë e frikshme emocionale dhe morale.
Në thelb, Chatroom është një pasqyrë e gjeneratës digjitale – e mbingarkuar me informacione, por e varfër në ndjeshmëri. Është një thirrje për ndërgjegjësim: për të kuptuar fuqinë e fjalës, për të zbuluar përgjegjësinë që mbart komunikimi – qoftë ai i shkruar apo i heshtur.
Chatroom është një dramë që na thërret të shohim më thellë – përtej ekraneve, përtej maskave, përtej heshtjes.
Shfaqja është produksion nga Elton Tahiri dhe vjen premierë në Teatrin e Gjilanit më 21 dhe 22 qershor nga ora 20:00.
Audienca: + 16/KultPlus.com