Diskutimet racore e gjinore si të pashmangshme – jepet premiera e shfaqjes ‘Të bardhët’

26 Maj, 2024 - 11:19 pm

Flonja Haxhaj

Të premtën, në Teatrin Oda në Prishtinë, u dha premiera e shfaqjes ‘Të Bardhët’ e autorit amerikan Steven Leigh Morris dhe regji nga Besim Ugzmajli. Shfaqja e cila shkaktoi shumë të qeshura në publik, më tepër se kaq,  kishte për qëllim që të vë në pah diskutimet që lidhen me dinamikat racore e gjinore që ekzistojnë në çdo shoqëri, shkruan KultPlus.

Ngjarja zhvillohet në një teatër gjysmë-profesional në Tulsa, Oklahoma. ‘Të bardhët’ ka në qendër Luisin (Shpëtim Selmani), drejtori artistik i teatrit, i cili para vdekjes ka vetëm një ëndërr, të bëjë regjinë e shfaqjes ‘Mbreti Lir’ të Shekspirit, por dinamikat gjatë rrugës, nuk do t’ia bëjnë të lehtë realizimin, nisur nga fakti që ai vetë ka vendosur ta luajë ‘Mbretin Lir’.

‘Të bardhët’ sjell konfliket gjatë provave ku Luisi ballafaqohet me akuza të shumta rreth përzgjedhjes së aktorëve dhe roleve. Ndër to është Priscillia (Verona Koxha), e cila vazhdimisht shpreh pakënaqësitë për vendimet e Luisit dhe frikën e saj se roli i Kordelias mund të zëvendësohet me një aktore me ngjyrë.

Ajo po ashtu gjatë gjithë kohës shpreh revoltën e saj mbi shfaqjen duke e konsideruar jashtë mode dhe se i përçmon gratë.

Në skenën ku po zhvilloheshin provat e ‘Mbretit Lir’, paraqitet edhe Dagu (Bujar Ahmeti), një djalë që sipas Luisit, nuk është lindur për teatër, mirëpo ka punuar për teatër gjatë gjithë jetës së tij. Pavarëisht dramave e konflikteve, Dagu megjithatë është i vendosur, ndonjëherë edhe i ‘kushtëzuar’ të ndihmojë Luisin që ta çojë ëndrrën e tij deri në fund.

Regjisori Besim Ugzmajli duke folur për tematikën e shfaqjes, tha se ‘Të bardhët’ trajton  diskutimet që i përkasin stereotipeve racore e gjinore, diskutime që së shpejti do të vijnë edhe në Kosovë. Më tutje, ai shprehet i lumtur me produktin final që është shfaqur në skenë.

“Kjo shfaqje është një perludi e diskurseve të shumta sociale të cilat janë rrugës për në vendin tonë, pra janë diskutime që lidhen me dinamikat racore e gjinore në shumë vende të perëndimit, mirëpo tek ne janë akoma tema të pakonsumuara dhe mendoj që brenda një kohë shumë të shkurtër do të jenë pjesë e diskutimeve në shoqërinë tonë . Shfaqja na bën një lloj paralajmërimi rreth asaj se çka e pret shoqërinë tonë, jo një paralajmërim ogurzi por një paralajmërim që diçka interesante do të jetë pjesë e diskurseve publike dhe sociale”, tha ai.

Ai më tutje foli edhe për kastën e aktorëve, duke u shprehur se i përkasin aktorëve më të mirë të gjeneratave të tyre.

“Ka qenë kënaqësi jashtëzakonisht e madhe me punu me Shpëtimin, Bujarin e Veronën. Janë aktorë me shumë angazhim, aktorë që janë të gatshëm me bashkëpunu deri në fund dhe po besoj që kemi arritur të kemi një produkt kompakt me të cilin unë jam jashtëzakonisht i lumtur”, tha mes tjerash Ugzmajli.

Pas shfaqjes, për KultPlus foli aktori Shpëtim Selmani, i cili në shfaqje paraqitet me rolin e Luisit, personazhi i cili dëshpërimisht kërkon që para vdekjes të realizojë shfaqjen ‘Mbreti Lir’.  Selmani thotë se kjo shfaqje flet për një tematikë që është pjesë e diskutimeve n çdo shoqëri.

“Luisi është një regjisor i një teatri gjysmë-amator. Është një temë e cila mundet lirisht të gjendet në të gjitha shoqëritë, pra çështja e racizmit. Luisi është pak para vdekjes dhe mundohet që ta bëjë edhe një shfaqje ‘Mbretin Lir’ të Shekspirit që ta lë një mesazh dhe të tregojë se çfarë bote është dhe se si është bota sipas Shekspirit. Në të njëjtën kohë ai akuzohet për përzgjedhje të roleve, akuzohet për racizëm nga dy krahe fundamentale në Amerikë”, tha Selmani.

Ndërkaq, aktori Bujar Ahmeti, i cili në shfaqje personifikon rolin e Dagut, thotë se ky rol paraqet rolin e një djali naiv i cili kushtëzohet në punën e tij, megjithatë mundohet ta mbështesë regjisorin dhe kërkesën e tij të fundit.

 “Dagu është një djalë i cili është aktor, djalë shmë i mire, naiv , i cili mundohet edhe pse ndonjëherë ofendohet ose kushtëzohet rreth punës së tij si aktor, prapëseprapë mundohet ta ndihmojë dhe mbështesë, rolin e Shpëtimit, ‘Luisin’, i cili ka një ëndërr, që para vdekjes ta bëjë një shfaqje – ‘Mbretin Lir’, u shpreh Ahmeti për KultPlus.

Ju kujtojmë që shfaqja ‘Të bardhët’ është produksion i Qendrës Multimedia, shkruar nga Steven Leigh Morris, regjia nga Besim Ugzmajli dhe luajnë aktorët, Shpëtim Selmani, Bujar Ahmeti dhe Verona Koxha./KultPlus.com

Të ngjajshme