“Engjëlli i Amazonës” me skenat e Andis Gjonit, një apel global në mbrojtje të mjedisit në New York

11 Nëntor, 2022 - 11:29 am

Artisti shqiptar Andis Gjoni së bashku me kolegët e tij u duartrokit furishëm të enjten në mbrëmje në Teatrin “Frank Shiner” në Nju Jork për skenat e realizuara në operan “Engjëlli i Amazonës“, një vepër që prek një nga problemet më të mëdha të njerëzimit sot, shkatërrimin e pyjeve dhe ambientit duke krijuar probleme serioze në klimën e botës dhe duke rrezikuar të ardhmen e brezave që vijnë. Një temë shumë aktuale edhe për Shqipërinë si një nga vendet me probleme të ngjashme në mbrojtjen e mjedisit.

“Kjo ishte arsyeja kryesore që më shtyu të pranoja të isha pjesë e këtij projekti interesant i cili shkon në të njëjtën kahje me parimet e mia si artist që me artin tim dua të jap kontribut në ndërgjegjësimin e publikut kudo, për një botë më të mirë e në respekt të natyrës dhe faunës”, u shpreh Andis Gjoni i njohur për ekspozitat e realizuara në artet pamore por edhe si artisti i parë që solli në Shqipëri gjininë e muzikalit me realizimin e skenave dhe kostumeve të veprave të njohura të Brodueit si “West Side Story” dhe “Puthmë Keit” si dhe vënien në skenë të një prej operave më të famshme amerikane “Porgi dhe Bes” në TKOB në vitin 2009 për të cilën vepër realizoi regjinë, skenat dhe kostumet.

Bashkëpunimi i nisur në Shqipëri me regjisoren e njohur amerikane Nenci Rodes me veprat e sipërpërmendura, ka vijuar sërish këtë herë në anën tjetër të oqeanit, në Nju Jork, aty ku Andis Gjoni është duartrokitur shumë herë në realizimin e skenografive të vlerësuara nga kritika si “një univers real që i përgjigjet në një mënyrë shumë kreative dhe origjinale, idesë së autorit të veprës që vendos në skenë”. Për punën e tij dhe pjesëmarrjen në festivale të ndryshme ndërkombëtare, artisti shqiptar është nderuar edhe me çmime.

Tek “ Engjëlli i Amazonës “ skenografia e Andis Gjonit, mishëron dhe kujton në mënyrë origjinale, memorien kolektive në mbrojtje të mjedisit përmes ngjyrave dhe imazheve goditëse duke u vënë në funksion perfekt të të gjithë elementeve që zbërthen opera gjatë zhvillimit të saj.

Ndërkohë ajo përshfaqet para shikuesve me një autentitecitet teatral, shoqëruar nga një ndriçim i goditur i Kris D’Anxhelo në funksion të idesë e zhvillimit të operas të krijuar nga kompozitori Evan Mak. Në këtë opera interpretonte edhe baritoni Hoze Rubio, i cili njihet nga publiku shqiptar si pjesëmarrës në Konkursin Ndërkombëtar “Maria Kraja” në Tiranë. -Natyrë e virgjër, ngjyra të ndezura dhe gjelbërim hipnotizues, sjellin në fokus të publikut madhështinë e natyrës. Me regji të Nenci Rodes, në qendër të operas është një motër murgeshë amerikane Dorothi Stang e cila kishte vendosur të jetonte pranë fiseve indigjene të Amazonës në Brazil dhe ishte avokate e të drejtave të këtyre njerëzve të cilët kanë jetuar me shekuj në pyjet e virgjëra e që tashti rrezikohen nga latifondistët e paskrupuj që duan të shkatërrojnë pyjet e të grabisin këto toka të indigjenëve për përfitimet e tyre personale. Motra Dorothi u tregua aq e guximshme sa të kundërshtonte pa frikë planet shkatërruese të këtyre investitorëve të cilët filluan ta kërcënonin me jetë nëse ajo nuk hiqte dorë nga protesta e saj për mbrojtjen e pyjeve. Kjo situatë solli edhe përplasjen e pashmangshme dhe fundin tragjik të saj nga plumbat e vrasësve me pagesë. Me martirizimin e saj motra Dorothi Stang sensibilizoi edhe më shumë publikun dhe frymëzoi protesta të fuqishme të grupeve autoktone indigjene në mbrojtje të pyjeve dhe natyrës. Opera eksploron pikërisht këto tema të mbrojtjes së ambientit dhe mbrojtjes së të drejtave të popujve indigjenë në luftën e tyre për drejtësi.

Andis Gjoni me baritonin Joze Rubio, baríton pjesëmarrës në Festivalin María Kraja në Shqipëri

/

“Skena e krijuar prej meje ka në qendër pikërisht natyrën e virgjër, duke u munduar që të fus shikuesin në një atmosferë mistike të këtyre pyjeve mijëravjeçarë të trajtuar me ngjyra të ndezura të një gjelbërimi hipnotizues por në të njëjtën kohë të shpërfaqur në mënyrë abstrakte vizualisht me elementët e gjetheve të hiperbolizuara në atë masë që ta kthejnë në fokus të publikut bukurinë dhe madhështinë e pyjeve. Në të njëjtën kohë ky vizion, paraqet vogëlsinë e njeriut përballë madhështisë së natyrës duke theksuar pikërisht këtë kontrast dhe nevojën për mbrojtjen e kësaj mrekullie të planetit tonë”, u shpreh Andis Gjoni, mbas përfundimit të shfaqjes.

Ndërsa regjisorja Rhodes vlerësoi punën e skenografit shqiptar duke e cilësuar “të shkëlqyer, në përputhje me përmbajtjen e veprës dhe një arritje e padiskutueshme”. Andis Gjoni vjen në këtë shfaqje pas premirës së suksesshme disa ditë më parë në Teatrin Sheri në North Hollivud të Los Anxhelosit me dramën “Histori e thyer” të Sindi Marion për të cilën ka realizuar skenografinë”./ KultPlus.com

Të ngjajshme