Enver Petrovci sot feston datëlindjen e 69-të

28 Shkurt, 2023 - 6:56 pm

Enver Petrovci, aktori dhe regjisori i cili arriti famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare, sot feston datëlindjen e tij të 69-të.

Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Në fillim studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit. Ka arritur karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” dhe me rolet e luajtura aty u bë i njohur nëpër mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe. Pas mbarimit të luftës e vazhdoi me sukses karrierën artistike në Prishtinë e në qendra të tjera shqiptare.

Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare.

Është një ndër themeluesit e degës së Artit Dramatik dhe Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989, ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në këtë Universitet dhe formon kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.

Rolet e tij si në teatër ashtu edhe në film janë në numër shumë të madh. Petrovci vazhdon të jetë pjesë e projekteve të ndryshme ku ende mban fuqishëm primatin e tij në fushën e aktrimit./ KultPlus.com

Të ngjajshme