Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë – polip, nis këtë fundjavë në Prishtinë nën temën “Shkrimtari është i pranishëm?!” 

11 Maj, 2022 - 1:30 pm

Edicioni i dymbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë – polip, organizuar nga Qendra Multimedia, nis këtë fundjavë në Teatrin ODA në Prishtinë nën temën “Shkrimtari është i pranishëm?!”, përcjellë KultPlus.

Ky edicion do të nis me promovimin e librit “I verbri” nga autori slloven Mitja Čander, përkthyer në shqip nga Nikollë Berishaj dhe botuar nga Qendra Multimedia. Promovimi i këtij libri do të ndodh më 12 maj nga ora 18:00 në Teatrin ODA në Prishtinë dhe është pjesë e një para-programi të festivalit. Promovimi do të përcillet me hapjen zyrtare të festivalit polip të premtën më 13 maj nga ora 19:30 në Teatrin ODA, ku përpos fjalimeve hapëse do të ketë edhe lexime letrare me autorët: Şebnem İşigüzel nga Turqia, Eqrem Basha nga Kosova,  Ivana Bodrožić nga Kroacia, Carsten Jensen nga Danimarka, Jovica Ivanovski nga Maqedonia e Veriut, Joël Vernet  nga Franca dhe Mitja Čander nga Sllovenia.  Mbrëmja e parë do të përmbyllet me një performancë muzikore nga Edona Reshitaj dhe bendi i saj.

Më tutje festivali do të vazhdojë të shtunën me diskutime që fillojnë nga ora 11:00 me diskutimin “Jeta vs. Letërsia / Kush i tregon rrëfimet dhe kush i ndan ato?”, në ora 15:00 me diskutimin me temë “Lufta në Ukrainë – Çfarë mund të bëjnë shkrimtarët dhe përkthyesit tani?” ndërsa dita e dytë përmbyllet poashtu me lexime letrare nga shkrimtarë vendorë e ndërkombëtarë.

Në ditën e fundit, Qendra Multimedia në kuadër të programit të festivalit polip ka paraparë diskutimin “Narrativat historike dhe kujtesa kolektive si origjinë e luftërave etnike, ose si mjet për shërim dhe pajtim të shoqërive të pasluftës? Si ndikojnë shkrimtarët në rezultat?” i cili fillon nga ora 16:00 në Teatrin ODA në Prishtinë, për të vazhduar me lexime letrare që nisin nga ora 20:00 në po të njëjtin vend. Ky edicion i polip-it do të përmbyllet me një performancë muzikore nga këngëtarja Linda Rukaj.

Tema e sivjetme e festivalit polip është shprehje e të paktën tri gjendjeve në të cilat shkrimtarët mund ta kenë gjetur veten përgjatë vitit që lamë pas, sidomos nga shkurti i këtij viti për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Në këtë edicion ngrisim pyetje dhe tentojmë të gjejmë përgjigje për atë se çka mund të bjënë shkrimtarët në një situatë si kjo në të cilën gjendet bota sot me luftën, pandeminë e krizën e refugjatëve. Tema e sivjetme sendërtohet mbi frymëzimin nga performanca e artistes Marina Abramovic e quajtur “Artisti ësthë i pranishëm”, përmes të cilës artistja Abramovic cila theu kufijtë e distancës ndërmjet artistit dhe audiencës së artit të vet duke qëndruar për 736 orë ulur në një karrige përgjatë tre muajve dhe duke shikuar sy-më-sy 1675 vizitorë të performancës së saj. 

Të gjitha ngjarjet që organizohen në kuadër të festivalit polip do të ndodhin në Teatrin ODA në Prishtinë dhe hyrja është falas! Më shumë detaje për programin e sivjetëm të festivalit, mund të gjeni KËTU.  /KultPlus.com

Të ngjajshme