Flaka Goranci sjell rolin e Carmen në Zvicër

19 Maj, 2022 - 10:07 pm

Pas sukseseve të fundit si producente, kompozitore dhe këngëtare, me CD-projektin e saj për gratë kompozitore nga e gjithë bota të titulluar ‘’La Femme’’, Flaka Goranci së fundi ka udhëtuar për në Langenthal të Zvicrës, për të realizuar një ndër rolet më të mrekullueshme, atë të Carmen, në shfaqjen operistike me po të njëjtin titull të kompozitorit francez Bizet, shkruan KultPlus.

Është hera e dytë që ajo ftohet në Zvicër me po të njëjtin rol. Qysh herën e parë performanca e saj është vlerësuar mjaft lartë nga kritika zvicerane, duke njohur vështirësitë që ka ky rol, si vokale poashtu edhe në paraqitjen skenike.

“Carmen do ta ketë premierën më 22 qershor dhe gjithsejtë do të kemi 10 shfaqje. Gëzohem shumë që do të punoj me një ndër dirigjentët dhe regjisorët më me zë që ka ky vend. Meqenëse kësaj radhe ky produksion vjen me një koncept krejt të ri, kjo e bën akoma më interesant dhe me impenjativ këtë rol”, ka thënë Flaka Goranci për KultPlus.

Ajo më pas ka thënë se është kënaqësi e madhe që të këndoj në një vend si Zvicra. “Zvicra është një vend që e do punën dhe vlerëson talentin, dhe duke shikuar edhe anën tjetër të këtij shteti, që ka bërë kaq shumë për bashkatdhetarët tanë, ku ka pas një rol shumë të madh për krijimin e kushteve për integrimin e tyre, kjo paraqitje më jep edhe më shumë emocion”, ka thënë Goranci.

Kjo shfaqje operistike është duke u përgatitë me regjhisor Andrea Zogg dhe nën dirigjimin e Bruno Lauschner. Kurse shfaqja do të prezantohet në Gartenoper Langenthal./ KultPlus.com

Të ngjajshme