Komuna e Gjilanit ka ndarë mirënjohje për sukseset e Ansamblit ‘Gjilani’

25 Tetor, 2017 - 4:20 pm

Komuna e Gjilanit, në shenjë falënderimi dhe mbështetjeje për të vazhduar tutje me punë dhe suksese të tjera, ka ndarë sot mirënjohje për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Gjilani”, të cilët janë shpërblyer me vendin e parë në garat Ballkanike në Bullgari dhe me çmimin si ansambli më profesionist përsëri në garat ballkanike të mbajtura në Fushë Kosovë.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se angazhimi, puna dhe profesionalizmi kanë bërë që ansambli “Gjilani”, të shënoj fitore të shumta dhe të jetë prezantues i fuqishëm i Gjilanit në gara të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit.

“Ansambli ‘Gjilani’ po dëshmon që ky qytet i juglindjes së Kosovës është qytet i traditës, është qendër e kulturës dhe është qytet i konkurrencës së fuqishme si në kulturë, po ashtu edhe në arsim dhe fusha të tjera”, ka thënë Haziri, duke spikatur qëndrimin e tij që do të jetë gjithmonë mbështetës i kësaj fushe dhe i artistëve në përgjithësi.

Gjithashtu Haziri ka ndarë sot edhe mirënjohjen tjetër për shoqatën “17 shkurti”, nga fshati Dobërçan, për angazhimin e anëtarësisë së shoqatës, banorëve të fshatit dhe gurbetqarëve, për mirëmbajtjen në nivelin më të lartë të hapësirave publike dhe iniciativave të tjera në Dobërçan. / KultPlus.com

Të ngjajshme