Kopshti i Çehovit erdhi mbrëmë në mes të zilisë dhe pushtetit në Prishtinë

18 Shtator, 2018 - 4:48 pm

Gili Hoxhaj

“Kopshti i Vishnjeve” është një nga veprat e fundit që dramaturgu dhe shkrimtari Anton Çehov i la botës, e pas së cilës emri i tij qëndron fort i lidhur.

E shkruar në vitin 1903, për herë të parë u shfaq në vitin 1904 në teatrin e Artit në Moskë, për të lëvizur në shumë teatro të botës, gjithnjë në një përplasje të konceptit të veprës së shkruar nga autori dhe mënyrës së trajtimit nga regjisorët, pasi vet Çehovi e trajtonte si komedi, e kishte kundërshtuar mënyrën e trajtimit të saj më tepër si një tragjedi nga regjisori që e vuri për herë të parë në skenë – Konstantin Stanislavski.

Frymën e artit të Anton Çehovit, i cili njihet si një nga tri figurat themelore në lindjen e hershme të modernizmit në teatër, mbrëmë e përjetoi edhe publiku prishtinas, nën regjinë e Ilir Bokshit. Pasojat që mund të sjellin ndryshimet sociale janë dukshëm të trajuara përmes lojës së aktorëve Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Armend Smajli, Semira Latifi, Qëndresa Jashari, Shpëtim Kastrati, Ylber Bardhi, Vlera Pylla, Besfort Berberi dhe Luan Jaha.

Secili në skenë ka një histori kujtimi, një lidhje të fortë me “Kopshtin e Vishnjeve”. Atje duket se të gjithë janë vetvetja. Atje duket që të gjithë janë të etur. Dikur as që mund të mendohej për pronësinë e kësaj hapësire nga ata që nuk i përkasin shtresës së aristokratëve, ndërsa sot të gjithë janë pretendues, ani pse jo të drejtpërdrejtë nga kërkesat, duke e marrë atë në mënyrë krejt tinëzare. Dikur martesa ndaj dy shtresave as s’mund të mendohej, sot një gjë e tillë veçse kërkohet. Mes dëshirës për t’i ruajtur kujtimet së bashku me hapësirën, ata që nuk ndajnë kujtime fort të mira me këtë vend do ta shkatërrojnë për të ndërtuar diçka krejtësisht tjetër.

Shfaqja si e tillë nuk e përcakton vendin se ku ndodhet, duke lënë hapësirë për të ngritur paralale me kontekstin kosovar. Lidhur me inskenimin e kësaj shfaqje me gjuhën e Çehovit në një vend e kohë krejt tjetër, Bokshi thotë se konteksti në esencë vazhdon të ketë shumë lidhshmëri edhe me Kosovën.

“Është e vështirë me e realizu Çehovin pasi që flet me një gjuhë të një kohe tjetër, të një epoke tjetër, pasi kërkesat dhe detyrat e aktorëve, personazheve janë të tjera, pra nuk ka telefona mobil apo pajisje tjetër. Dallojnë pra sa i përket kohës ndërsa në parim nuk dallojnë shumë pasi që gjysëm-analfabetët po e udhëheqin shtetin, mos të them fshatarët pasi që nuk kam asgjë kundër tyre por kur e them këtë term e kam fjalën për ata që janë të pagdhendur dhe të paditur për ta udhëhequr shtetin, që e ka thënë edhe Çehovi para një shekulli e gjysmë”, shprehet regjisori Ilir Bokshi.

Njëherit kjo shfaqje hapi edhe programin e muajit shtator, duke i hapur dyert e Teatrit për publikun, pas grevës nëntë ditore të këtij institucioni dhe institucioneve të tjera vartëse të Ministrisë së Kulturës.

Si pasojë e grevës, shfaqja “Kopshti i Vishnjave” e paraparë të mbahet më herët u zhvendos për këtë datë pas pezullimit të grevës së aktorëve. Regjisori Bokshi shprehet i lumtur që janë plotësuar kërkesat e aktorëve rezidentë të TKK-së ndërsa thotë se procesi i punës në rrethana të tilla nuk është se ka qenë shumë i lehtë.
“Nuk është e thjeshtë që fillimisht t’i bësh dy ose tri parapremiera pasi që procesi i ndërprerë është pak më i vështirë që të arrish tek prova gjenerale dhe të arrish tek prova gjenerale pas dhjetë ditësh”, tregoi Bokshi për KultPlus.

Në fokus të shfaqjes është përplasja mes dy personazheve, Ljubova Andreievna Ranevskaya që erdhi në rolin e Shengyl Ismailit e cila kthehet nga Parisi në vendin ku ka lënë shumë kujtime ndërsa sot është në një gjendje jo dhe të mirë financiare, dhe Llopahini që erdhi në rolin e Adrian Morinës e që përfaqëson një tregtar i cili i përkiste shtresës më të ulët sociale, paraardhësit e të cilit kishin derdhur gjak pikërisht në “Kopshtin e Vishnjeve”, e të cilin ai sot pasi që e blenë, do që ta shkulë.

Për Adrian Morinën ishte kënaqësi e jashtëzakonshme ta luante një kryepersonazh të Çehovit. Ai thotë se mbrëmë u ndje i lumtur për prezencën e publikut i cili ka ardhur përkundër vakumit të ditëve të kaluara, ndërsa tha se ka qenë shumë demotivuese që të mbajnë provën gjenerale një ditë më parë dhe premiera të mos shfaqet të nesërmen.
“Ka qenë ëndërr e imja të luaj në një vepër të Çehovit, ndoshta jo këtë vepër pasi që secila vepër e tij ka qenë kryevepër. Nuk e kam besuar që është kaq e vështirë dhe ka qenë e vështirë që e kemi zhvilluar shfaqjesn në procesin e grevës pasi ka qenë një demotivim shumë i madh por ka ndikuar që ne të kuptojmë veprën më mirë. Kënaqësi e jashtëzakonshme që të punojmë me këtë ekip”, tregoi Morina për KultPlus.
Kryepersonazhi tjetër i ishte besuar Shengyl Ismailit e cila tha se kjo shfaqje është e veçantë për të pasi që punon për herë të parë me Ilir Bokshin dhe me një tekst të Çehovit.
“Kjo ka qenë një shfaqje shumë e vështirë për t’u punuar, kam luajtur një rol goxha kompleks, një grua naive që shpenzon para dhe që ia marrin pushtetin njerëzit më të afërt të saj. Ky tekst edhe pse është shkruar më parë, korrespondon me aktualitetin sot, që një njeri për pushtet dhe para bën gjithçka”, u shpreh Ismaili për KultPlus.

Erson Zymberi, regjisor, u shpreh për KultPlus se koncepti regjisorial erdhi lehtë tek publiku duke u bazuar në energjinë e aktorëve.
“Shfaqja më pëlqeu, veçmas funksionimi i ansamblit dhe energjia që e dhanë ata si ekip. Ajo çfarë e bëri të lehtë formën e konceptit regjisorial dhe perceptimit të aktorëve dhe të lojës së tyre ishte energjia e aktorit dhe besnikëria ndaj tekstit pasi që Çehovi është një nga dramaturgët, karakteret e të cilit nuk kanë shumë konflikte të jashtme por vlojnë përbrenda vetes së tyre”, tha Zymberi.

Repriza e parë e shfaqjes do të jepet sonte dhe nesër me fillim nga ora 20:00.
Kostumografinë për këtë shfaqje e ka bërë Vesa Kraja, muzikën Art Lokaj, Ass.regjie- Butrint Pasha dhe skenografia nga Petrit Bakalli. / KultPlus.com

Të ngjajshme