Kosovo Theatre Showcase fillon nesër, sjell disa nga prodhimet më të mira teatrore

24 Tetor, 2022 - 12:41 pm

Qendra Multimedia ka njoftuar se Kosovo Theatre Showcase fillon nesër më 25 tetor, 2022 dhe do të vazhdojë deri më 29 tetor, përcjell KultPlus. 

Kosovo Theatre Showcase sjell disa nga prodhimet më të mira teatrore të vitit të fundit në Kosovë, para një audience ndërkombëtare prej më se 60 mysafirëve nga mbi 20 vende të Evropës, SHBA-ve dhe Azisë.  Në edicionin e sivjetmë do të jepen 11 shfaqje të prodhuara nga teatro publike e të pavarura të Kosovës, ndër to edhe dy shfaqje mysafire nga Serbia e Bosnia dhe Hercegovina.

Në kuadër të programit të sivjetëm do të organizohen edhe panele, lexime e ngjarje të tjera rrjetëzuese.

Kosovo Theatre Showcase është ngjarje vjetore e teatrit e cila çdo vit mbledh në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës programues festivalesh, kritikë e profesionistë të tjerë të teatrit. Para publikut shfaqen rreth 10 shfaqje e performanca teatrore nga Kosova, dhe rreth 5 të tjera nga rajoni dhe Evropa ― në një program përcjellës të ‘shfaqjeve mysafire’.

E kuruar nga Qendra Multimedia dhe e organizuar në bashkëpunim me teatro e asociacione të tjera teatrore, kjo platformë skenike synon që për çdo vit të sjellë disa nga krijimet më mbresëlënëse dhe të arrira të teatrit në Kosovë. Mysafirët e showcase-it, përpos që njihen për së afërmi me shfaqje të prodhuara në Kosovë ― një vend me një nga skenat më vitale e vibrante në Ballkan ― kanë mundësinë edhe të ndërveprojnë me krijuesit vendorë të teatrit përmes diskutimeve, paneleve e programeve përcjellëse. / KultPlus.com

Të ngjajshme