‘Liza në botën e çudirave’ solli edhe njëherë magjinë e Arzana Krajës

21 Shkurt, 2020 - 9:38 pm

Ishte një emocion më i veçantë në mbrëmjen e së premtes në Teatrin “Dodona” të Prishtinës, ku po prezantohej prova gjeneralë e shfaqjes “Liza në botën e çudirave”, shfaqje kjo që ishte punuar me dramatizim të Arzana Krajës, e cila vdiq qysh në nëntorin e kaluar, por këtë projekt e kishte lënë të përfunduar për këtë teatër, qysh në muajin shtator.

Meli Qena ka bërë regjinë e kësaj shfaqje, e cila bashkë me Arzanën patën aplikuar për këtë projekt vitin e kaluar, por premiera e kësaj shfaqje erdhi pa praninë e Arzanës.

Familjarë të Arzanës kishin zënë vendet e tyre në sallën e këtij teatri, për të parë nga afër emocionin e kësaj shfaqje, dhe për të ndjerë nga afër edhe njëherë mjeshtërinë e familjares së tyre.

Por dramatizimi i Arzana Krajës dhe regjia e Meli Qenës, kishin sjell një mrekulli brenda mureve të këtij teatri, pasi që aktorët e kësaj shfaqje, me lojën e tyre sollën aq emocion, sa zërat e fëmijëve , bashkë me ata të prindërve, dëgjoheshin pothuajse gjatë gjithë kohës.

Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, bashkë me bashkëshorten e tij, kishin sjell vajzën e tyre që për aq kohë sa zgjati shfaqja, u argëtuan me lojën e aktorëve.

Shfaqja ‘Liza në botën e çudirave’ trajton temën e një vajze e cila një ditë shikon një lepur të bardhë dhe bëhet kurioze, duke ndjekur lepurin, ajo bie në botën magjike të mrekullive ku takon krijesa nga më çuditshmet, kjo botë magjike futi thellë edhe fëmijët që ishin prezent. Liza një vajzë me imagjinatë tejet të zhvilluar ngjallte një entuziazëm të pashoq tek fëmijët që ishin të pranishëm në këtë shfaqje.

Ajo çfarë e bëri edhe më interesante këtë shfaqje ishte mesazhi që ajo përçonte. T’i duam prindërit tanë dhe t’i respektojmë ashtu siç janë, pa u shkaktuar telashe, sepse në fund jemi ata të cilët duam t’i kemi gjithmonë afër dhe të mos jemi asnjëherë larg tyre.

Me këtë lloj porosie përfundon edhe shfaqja, duke u lënë fëmijëve prezent një mesazh shumë të fortë.

Aktorët që luajtën në këtë shfaqje ishin: Njomza Tmava, Allmir Suhodolli, Avni Hoti, Roza Berisha Fejzullahu, Avdi Azemi, Faik Gashi. Shfaqja ështe edhe libër i cili është shkruar nga Leëis Caroll, dhe pritet të shfaqet këtë të shtunë prej orës 12:00 dhe 13:00 në teatrin Dodona. / KultPlus.com

Të ngjajshme