Nën moton “Log in Theater”, së shpejti nis edicioni i 13-të i “SkupiFestival”

18 Tetor, 2019 - 4:00 pm

Në hapësirat e teatrit të Komedisë në Shkup, sot u mbajt konferenca e shtypit nga Festivali Ndërkombëtar Teatror “SkupiFestival”.

Edicioni i 13-të i këtij festivali do të fillojë më datë 21 tetor dhe do të mbaroj më datë 27 tetor nën moton “Log in Theater”.  Ky edicion do të mbahet në skenën e teatrit të Komedisë në Shkup. 

Konferencën për shtyp e hapi drejtori i FNT SkupiFestival, Muzbajdin Qamili, i cili foli për programin dhe mënyrën e organizimit, për përzgjedhjen e shfaqjeve që do defilojnë për këtë vit në “SkupiFestival”, duke bërë edhe thirrje artdashësve dhe në veçanti  publikut teatrorë për t’ a përcjellur programin e këtij edicioni.

Në vijim drejtori artistik Osman Ahmeti  foli në detaje për të sqaruar  programin e festivalit, ku theksoi se festivali fillon me “Karnevalet e Korçës” në produksion të teatrin kombëtar të Kosovës, vazhdon me “Xhaxha Vanja” e Çehovit me teatrin Vazrazhdanie  nga Sofia, pastaj me “Perëndimin e Vetmuar” të Martin Mekdona  nga teatri U Mosta nga qyteti Perm i Rusisë, nga Lublana “Gratë e Ibsenit”, nga Tirana teatri Metropol me “Natën Ma” nga autorja Marsha Norman, teatri Puls nga Beogradi me shfaqjen “Kiril dhe Klodell” dhe për në fund shfaqja nga teatri i Komedisë “Gra para sulmit nervor”, e inskenuar sipas filmit me të njëjtin titull të regjisorit të njohur spanjoll Pedro Almodovar.  

Për shfaqjen më të mirë në këtë edicion do të kujdeset juria e përbërë nga aktorja e njohur Yllka Mujo, gazetari dhe kritiku teatrorë  Emin Azemi dhe aktori nga teatri popullorë maqedonas Borçe Naçev. 

FNT SkupiFestival edhe për këtë vit i falënderon mbështetësit e tij Ministrinë e Kulturës, Qytetin e Shkupit, teatrin e Komedisë dhe falënderim të veçantë për sponsorin gjeneral Telekomin e Maqedonisë, i cili për vitin e tretë me radhë ndihmon  FNT SkupiFestival Shkup.

Hapja solemne bëhet të hënën më datë 21 tetor më ora 20:00 në teatrin e Komedisë, aty edhe ku do luhen të gjitha shfaqjet. / KultPlus.com

Të ngjajshme