Një vit pa Leze Qenën, ikonën e aktrimit shqiptar

25 Mars, 2021 - 9:56 am

Ikona e aktrimit kosovare Leze Qena, mëngjesin e së mërkurës të 25 marsit dha lamtumirën e fundit. Në moshën 85-vjeçare ajo u përshëndet përfundimisht me skenën, publikun e të gjithë ata që e rrethonin, por arti i saj do të mbetet përherë i freskët e i dashur për publikun, shkruan KultPlus.

Leze Qena, lindur si Elizabeta Spaqi në Prizren, më 2 mars 1935, ishte aktorja më e dashur për publikun shqiptar. Me thjeshtësinë e mjeshtërinë e saj prej aktoreje, ajo diti të bëjë për vete të gjithë.

Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, për të vazhduar më pas studimet për aktrim në Prishtinë.

Duke filluar nga viti 1954, si aktore në Teatrin Popullor Krahinor (TPK), ajo u shqua me shkathtësitë e saj interpretuese në shfaqjet e zhanrit komedi. Kreacionet më të suksesshme i dha në shfaqjet “Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët”, “Pjata e drunjtë”, “Kur është gruaja memece”, “Hanka”, “Miu në xhep”, e të tjera. Ka interpretuar edhe role jo të pakta dramatike, ku shquhet për rolin e Ana Frankut te “Ditari i Ana Frankut”.

Në role kryesore ka interpretuar edhe në shfaqjet gjatë viteve ’60 si: “Fjala është për banesë”, “Kvej Llan” (në gjuhën serbe), “Kushëriri prej Amerike”, “E shoqja e Hasan Agës”, “Familja e pikëlluar”, “Autobiografia”, “Nuk martohem me pare”, “Tartufi”, “Duart e papastra”, “Othello”, “Antigona”. Në dekadën pasuese, Qena ka interpretuar edhe në inskenime të tjera si “Perkolgjinajt”, “Të ngujuarit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Hotel Kashta”, “Zëri i ndërgjegjes njerëzore”, e të tjera.

Pos përvojës së gjatë në skenën teatrore në vend, aktorja Qena do të bënte emër edhe në miniseri televizive e komedi. “Po e zëm, po e zëm” (1970), “Ditari i Lec Pazhecit” (1975), “I ikuri” (1980), “Qesh e ngjesh” (1982), dhe “Shkolla e fshatit” (1987) ishin disa prej performancave të njohura të Qenës me të cilat bëri për vete simpatinë e publikut.

Ishte e martuar me aktorin Xhevat Qena me të cilin u njoftua gjatë interpretimit në skenën e Teatrit Kombëtar, në shfaqjen “Macja mbi çatinë e nxehte”. Së bashku çifti u bë i njohur për një audiencë të gjerë të teatrove.
Përkundër karrierës së gjatë e të suksesshme artistike, sot nuk është paralajmëruar ndonjë aktivitet përkujtimor nga institucionet përkatëse. Por megjithatë, Posta e Kosovës sot do të bëjë promovimin e pullës postare – “Nga arti skenik – Besim Sahatçiu dhe Leze Qena”.

Në mesin e këtij promovimi, të pranishëm do të jenë familjarët e Sahatçiut dhe Qenës, përfaqësues të institucioneve, pjesëmarrës nga sfera e artit dhe kulturës, mediave dhe mysafirë të tjerë.

Promovimi do të mbahet sot në CINEPLEXX, Albi Mall-Prishtinë, nga ora 11:00. Të pranishmit do të kanë mundësinë për të shijuar një koktej rasti. / KultPlus.com

Të ngjajshme