Përfundon ‘Koko Fest’, triumfon teatri ‘Aleksandër Moisiu’, Durrësi rrëmben pesë çmime në festival

7 Shtator, 2025 - 8:21 pm

Shfaqja e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit “Vendi më i humbur në Shqipëri” ka rrëmbyer pesë çmime në Festivalin Mbarëkombëtar të Komedisë në Korçë, duke përfshirë çmimin e shfaqjes më të mirë, regjia më e mirë për Andia Xhungën, aktori protagonist më të mirë që është dhënë për Gentian Zenelaj, çmimi i aktorit të ri më të mirë për Aleks Seitaj, si dhe çmimin e publikut.

Regjisorja Xhunga është befasuar nga çmimet e shumta që ka marrë shfaqja e vënë në skenë prej saj, kur tha se ndihet mjaft mirë me kaq shumë çmime në një festival si ky.

Sot kemi marrë 5 çmime dhe jemi shumë të lumtur dhe për mikpritjen që na ka dhuruar publiku korçar”, u shpreh regjisorja Xhunga.

Çmimi i karrierës ka shkuar për regjisorin e njohur Gëzim Kame, për të cilin një vlerësim i tillë pas një jete të gjatë në skenë është një emocion mjaft i madh.

60 vjet karrierë duket sikur të japin lamtumirën e fundit nga teatri edhe pse unë premtoj që do të vazhdoj akoma”, u shpreh regjisori.

Zamira Kita flet për organizimin e këtij festivali kur thotë se edhe këtë vit ia dolëm për të sjellë në skenë komeditë më të mira mbarë shqiptare.

Besoj se shkoi mirë dhe sigurisht në çdo edicion kemi çfarë të mësojmë. Kaloi mirë, edhe publiku u kënaq. U vlerësuan më të mira sipas gjykimit të jurisë të cilën e kishim shumë prestigjioze”, u shpreh Kita.

Për të 12-in vit me radhë në Korçë organizohet festivali mbarëkombëtar i komedisë. Organizatorët mendojnë se festivalin e radhës do e kryejnë në të gjitha qytetet e qarkut Korçë./javanews/KultPlus.com

Të ngjajshme