PITF nis edicionin e nëntë me trupa nga mbarë bota – Teatri global në zemër të Prishtinës

20 Maj, 2025 - 12:17 pm

Me një ceremoni madhështore në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, Prishtina International Theater Festival ka hapur dyert e edicionit të nëntë. Edhe këtë edicion teatro nga gjithë bota kanë sjellur shfaqjet dhe aktorët e tyre të zgjedhur për të marrë pjesë në garën e cila sjell emocione të mëdha tek publiku.

Në natën e parë të PITF morën pjesë personalitete tejet të rëndësishme si: kryeministri i Republikës së Kosovës z.Albin Kurti, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, ambasadori i Francës në Kosovë Olivier Guérot, ambasadorja e Izraelit në Kosovë Tamar Ziv, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë Bernard Çobaj, dhe shumë personazhe tjera nga jeta publike.

Kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti në fjalimin e tij me rastin e hapjes së PITF, theksoi rëndësinë që përmban teatri dhe se si ky festival nuk është vetëm ngjarje arti por urë që lidh zemra dhe shpirtra.

“Teatri që nga lashtësia ka qenë pasqyrë e shoqërisë, vend ku njeriu sheh vetveten, ku shfaqet e vërteta, ku lind shqyrtimi dhe shpërthen emocioni. Ky festival nuk është vetëm ngjarje arti por urë që lidh zemra dhe shpirtra. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë të kultivojmë artin dhe të krijojmë hapësira si kjo, andaj le të jetë ky festival një festë e ndërlidhjes shoqërore dhe frymëzimit estetik”, tha Kurti ndër të tjera.

Themeluesi i Prishtina International Theater Festival, aktori i mirënjohur Ilir Tafa, në fjalën e tij të rastit shprehu mirënjohjet dhe vlerësimet më të larta për aktorin Enver Petrovci, duke ndarë “Çmimin e Nderit” për të, si shenjë kontributi të pashoq, angazhim maksimal për artin dhe motivimin ndër gjenerata për të qenë pjesë e skenës dhe artit.

Petrovci, falënderoi publikun dhe aktorin Tafa për çmimin e ndarë, duke folur nën emocione për rrugëtimin e tij të gjatë dhe plot sfida, që tani ka mbetur gjurmë në historinë e artit shqiptar.

Pas hapjes zyrtare, PITF solli shfaqjen e parë “On the heart of the rose” nga Franca, të cilën publiku e mirëpriti dhe duartrokiti deri në momentet e fundit./ KultPlus.com

Të ngjajshme