‘RED’: lufta mes komerciales dhe artit të vërtetë, në Teatrin Aleksandër Moisiu

24 Janar, 2024 - 12:31 pm

Sonte në Teatrin “Aleksandër Moisiu” shfaqet premiera e dramës “RED” (e kuqe) nga dramaturgu amerikan John Logan. Vepra vihet në skenë nën regjinë e Altin Bashës dhe interpretohet nga aktorët Gentian Zenelaj e Urim Aliaj.

“E kuqe” është një dramë me dy personazhe, kushtuar piktorit abstrakt Mark Rothko dhe veprave që solli nga viti 1949-1970. Fillimisht vepra është vënë në skenë në Londër, më 8 dhjetor 2009 dhe më pas në shumë teatro anembanë globit. Dy nga aktorët më të njohur që e kanë interpretuar janë britanikët Alfred Molina dhe Eddie Redmayne, me të cilët drama fitoi disa çmime Tony Awards.

“Vetëm një gjë kam frikë në jetë, miku im. Një ditë e zeza do ta përpijë të kuqen”. Kjo batutë  e artistit shpreh gjithë brengën e tij dhe refuzimin që i bënte “Pop artit” dhe në thelb komercializmit.

Mark Rothko, paguhet në 1958-ën nga restoranti i famshëm e tejet i shtrenjtë “Four Seasons” , për të realizuar disa murale. Rothko nis punën, i ndihmuar nga asistenti i tij Ken. Përmes dialogut të personazheve del hapur se si asistenti ashtu dhe artisti janë të dyzuar me pranimin e kësaj porosie kaq komerciale. Përfundimisht, Rothko ndërpret punën dhe merr vendimin të kthejë paratë tek “Four Seasons” me pretendimin se ai vend është i papërshtatshëm për ekspozimin e veprave të tij.

Drama “E kuqe” do të shfaqet për publikun në 4 net: 24, 26, 27 dhe 28 janar./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme