‘Rrno për me tregue’ nga At Zef Pllumi përshtatet për teatër nga Bruno Shllaku

28 Dhjetor, 2018 - 7:16 pm

Vepra e At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue” përshtatur për skenën e teatrit nga regjisori Bruno Shllaku pritet të jetë premierë për publikun vitin që vjen.

Puna për këtë shfaqje teatrore tashmë ka nisur dhe regjisori Shllaku tregon se premiera do të jetë në skenën e Teatrit Metropol. Vepra do ketë aktorë nga Tiranë, por dhe nga Shkodra. Ky vit që po mbyllet ka qenë me angazhime artistike për Bruno Shllakun. Nuk ka munguar me role jo vetëm në teatër, por dhe në kinematografi. Edhe në ditët e fundit të vitit regjisori Bruno Shllaku nuk ndalon me punën e tij për projektet në teatër. Rolet në veprën e At Zef Pllumit interpretohen nga Bruno Shllaku,    Gjergj Doçi, Agron Dizdari, Mimoza Marjanaku, etj. Regjisor në dramë Bruno Shllaku tregon se këto ditë të fundit të këtij viti puna ka nisur me disa figurantë, që do jenë pjesë e korit në vepër. “Unë kam nisur punën me veprën teatrore të At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”. E kam filluar punën me figurantët, sepse ka të bëjë shumë kori. Në veprën e At Zef Pllumit, që unë e kam përshtatur për skenën është brenda saj edhe revolta në burgun Spaçit, dhe do të jenë veç aktorëve dhe rreth 25 figurantë, djem të rinj që do të jenë kori. Kori në antikitetin e lashtë grek presupozon frymën e shenjtë dhe të gjithë këto do të trajtohen si kor në këtë shfaqjen, që unë kam perceptuar”, pohon regjisori Shllaku. Jo vetëm vepra e At Zef Pllumit, por nga regjisori Bruno Shllaku në këtë shfaqje janë të përfshira dhe kujtimet e xhaxhit të tij Gjon Shllaku, që vuajti në burgjet e diktaturës. “Në skenë do të vijë një dramë, që është e gërshetuar dhe me disa kujtime që unë kam pasur rastin që ti dëgjoj nga xhaxhai im, i cili ka qenë dhe ai i burgosur politik, i dënuar me pushkatim, por më pas mbeti i dënuar me shumë vite. Xhaxhai im Gjon Shllaku doli nga burgu pas 17 vjetësh”, vijon të tregojë regjisori Bruno Shllaku, i cili pas disa ditësh do të nisë punën dhe me aktorët e tjerë për këtë vepër teatrore, që do ta ketë premierën vitin që vjen në Tiranë.

Drama në skenë

Ditët e fundit të këtij viti e gjejnë regjisorin Bruno Shllaku duke menduar e punuar për projektin e  ri të teatrit, që do të sjellë në skenë për publikun. Por këtë herë në një dramë për vuajtjet gjatë regjimit komunist si regjisor Bruno Shllaku thotë se do ti sjellë skenës së teatrit, një dramë që përcjell mesazhe të forta. “Kujtimet nga burgu të xhaxhait time janë gjëra rrënqethëse dhe unë i kam gërshetuar brenda në këtë material, duke krijuar dhe një kënd tjetër vështrimi. Ajo që trumbetohet shumë në tavolina, por nuk e kemi parë në skena shqiptare është momenti se si janë të lidhur dy ekstremitete të komunitetit fetar, ai mysliman dhe katolik, ku ndërthuren me një mjeshtri absolute si nga thëniet e xhaxhait tim si nga At Zef Pllumi gjëra që do të jenë të bujshme dhe kam fatin e madh që po ia jap skenës ti shikojë të vërtetuara ashtu si kanë ndodhur ato vite”, shprehet mes të tjerave Shllaku.

Këtë herë regjisor dhe aktor në këtë dramë Bruno Shllaku tregon se dhe vetë ka zgjedhur të vijë në rolin e një të burgosuri, që i takon besimit mysliman.

“Në këtë dramë unë vetë do të luaj një të burgosur të fesë myslimane, që jep dhe ndihmën e tij për të shpëtuar një të burgosur të rrahur për vdekje në qelitë e burgut të asaj kohe që ndodhej në Bulqizë. Në vepër janë përfshira tre burgjet, Bulqiza, Burreli dhe Spaçi, por kryesisht tregohen ngjarjet në këtë të fundit”, vijon regjisori Shllaku. At Zef Pllumi në veprën e tij “Rrno vetëm për me tregue”, na jep një tablo të asaj që ai ka përjetuar përgjatë viteve të persekutimit komunist.  Nga Julia Vrapi / KultPlus.com

Të ngjajshme