займ на карту онлайн потребительский кредит

Shfaqja ‘Bryma e vdekjes’, sonte premierë në TKK

Prill 8, 2019 - 10:29 am

Pamja e eksodit të shqiptarëve drejt Bllacës, do të kthehet pas dy dekadash si manifestim artistik në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja “Bryma e vdekjes”, me tekst të Milazim Krasniqit e regji të Burbuqe Berishës, përmes bashkimit të kastës së aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës me trupën e Baletit Kombëtarë të Kosovës,  tenton të prekë realitetin e asaj kohe. Duke sjellë në memorien e publikut pamjen e një katastrofe humanitare,  paraqet banorët e dëbuar nga shtëpitë e jeta e tyre e mëparshme teksa përfundojnë në një kamp famëkeq, ku jetesa e tyre përshkruhet si jetesë mes vuajtjes e vdekjes.

Regjisorja Berisha fton publikun për të parë shfaqjen, pasi sipas saj, ajo është një shfaqje e cila ballafaqon me të kaluarën dhe reflektimin me atë çfarë ka ndodhur 20 vjet më parë në Bllacë të Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa autori i shfaqjes Milazim Krasniqi, thotë se duke qenë dramaturg edhe para kohës së luftës, situatën e Bllacës e kishte preukopuar në nivel personal dhe  në nivelin e një tragjedie të popullit, e veçmas si një shëmbëllim i përvojave të hidhura të kampeve të përqendrimit në Evropë. Krasniqi për KultPlus tregoi se duke e kujtuar në retrospektivë atë skenë, ajo i ngjante si një skenë teatri e një tragjedie antike greke, e cila nëse do të vazhdonte shumë lehtë do të mund të shndërrohej në një kamp të vdekjes, pasi që mungonin kushtet elementare të jetesës.

Sipas njoftimit të shfaqjes, shpërfytyrimi, tjetërsimi si dhe përulja e qëllimshme e popullatës shqiptare do të paraqiten nëpërmes personazheve të portretizuara me shumë origjinalitet sikur ai i Fitimit, Ademit dhe Havës, Mentorit, Dritës si dhe vajzës së tyre të vogël. Drama është realizuar në atë mënyrë që në fund, tenton të japë një mesazh pothuajse mitik, që të kthen në kohën e krijimit të njerëzve të parë, andaj dhe personazhet kryesore mbajnë emrin Adami dhe Hava, dhe për dramaturgun Krasniqi rikthimi në Kosovën e lirë, ka qenë një përngjasim i fillimit të njerëzimit, të cilët përkundër që kanë lënë mbrapa një realitet plot vuajtje, e  kanë gjetur forcën për  të përqafuar jetën në një realitet të ri. Përveç vuajtjes, shfaqja tenton të prekë edhe një mesazh tjetër, atë të solidaritetit.

Aktorët që do të luajnë në këtë shfaqje janë: Valmir Krasniqi, Albulena Kryeziu –Bokshi, Bujar Ahmeti, Teuta Krasniqi, Thana Deliu, Artiola Hamdija, Blerta Deliu, Afrim Muqa, Naim Berisha, Ismet Azemi, Shpetim Kastrati, Labinot Raci, Xhejlane Godaci dhe Adhurim Demi.

Kompozitor i muzikës do të jetë Florent Bishnjaku, Skenografia është e punuar nga Petrit Bakalli dhe kostumografia nga Albulena Borovci ndërsa koreografinë e shfaqjes e ka punuar Sinan Kajtazi.

“Bryma e vdekjes” vjen premierë sonte në ora 20:00 në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës / KultPlus.com

Të ngjajshme