Shfaqja e princeshave nisë rrugëtimin e parë të PITF

16 Tetor, 2017 - 1:21 pm

“Dhe jetuan të lumtura…?”, është shfaqja e cila për herë të parë hap dyert e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Prishtina International Theater Festival” brenda hapësirave të Teatrit AAB “Faruk Begolli”, shkruan KultPlus.

Shfaqja ‘’Dhe jetuan të lumtura…?’’ vjen në PITF me prezantim nga ekipa e Kroacisë. Me produksion të Ines Bojanic – Scena Gorica, me autore Nina Horvat dhe regji të Frana Marija Vrankovic, shfaqja sjellë aktorët e shquar kroat: Jelena Hadzi Manev, Mia Krajcar, Doris Pincic Rogoznica dhe Selma Mehic.

Ilir Tafa, drejtor i festivalit në një konferencë për media lidhur me hapjen e këtij festivali ka thënë se ky organizim ka ardhur si pasojë e mungesës së festivaleve të teatrit në Kosovë.

“Më shumë kemi festivale për film apo festivale të ndryshme mirëpo për teatër momentalisht jemi të parët që do ta kemi një festival ndërkombëtar. Në këtë festival do të jenë 7 shfaqje, ku gjashtë do të jenë në sistemin garues dhe një shfaqje mysafire”, është shprehur Tafa.

Drejtoresha artistike Burbuqe Berisha, tregoj se ky festival do të vë në rend të parë aktorët dhe do të sjellë ballafaqimin me artet dhe kulturat e ndryshme teatrore nga rajoni dhe bota.

“Ne kemi mungesë të ballafaqimit me teatrin në botë dhe jemi mbyll në një oazë e cila sillet në një rreth vicioz vetëm brenda botës shqiptare. Jemi mundu që të sjellim shfaqje dhe produksione shumë të mira që të jenë sa më atraktive edhe për shikuesit kosovar dhe që nuk prodhohen aq shumë në teatrin tonë. Po ashtu në këtë festival jemi munduar që t’i sjellim të gjitha zhanret që shikuesit t’i sjellim diçka interesante”, ka thënë Berisha.

Ajo po ashtu tregoi se ky festival është i vetëfinancuar nga Teatri AAB “Faruk Begolli” dhe ka shpërblime më reprezentative të festivaleve në rajon, ku për rolin kryesor do të dhuroj një vlerë monetare prej dy mijë euro, për rolin episodik një mijë euro dhe shfaqja më e mirë 500 euro kurse regjia më e mirë po ashtu 500 euro. Çmimet do të ndahen nga juria qendrore, juria e medieve dhe juria e studentëve.

Mia Krajcer, performuesja nga Kroacia në shfaqjen e sotme ‘’Dhe jetuan të lumtura…?’’ ka treguar se kjo shfaqje e princeshave, është e zhvendosur për botën e të rriturve ndërsa flet për marrëveshjet mes dy gjinive në ditët e sotme.

“Pavarësisht se janë realizuar filma të Disney që kanë personazhe kryesore “Të përhiturën”, “Të bukurën dhe bishën”, “Borëbardhën”, kjo shfaqje absolutisht nuk ka të bëjë më fëmijë, është shfaqje për të rritur. Ngjarja zhvillohet kur personazhi “E përhitura”, pas një qind vjetësh që ka rënë në gjumë zgjohet nga gjumi dhe gjithçka që ndodh në shfaqje, ndodh në natën e saj të beqarisë dhe mund të imagjinoni se çfarë mund të ndodh në një natë të beqarisë së femrave ku ka një sasi të alkoolit, pra vjen në shprehje diçka e bukur por jo edhe aq e këndshme në këtë shfaqje”, ka përfunduar Krajcer.

Ky festival do të jetë i hapur që nga sonte më 16 tetor deri më datë 21 tetor. Këto data janë rezervuar për gjashtë shfaqje të mrekullueshme nga vendi dhe rajoni.“Dhe jetuan të lumtura…?” – Kroaci, “Shërbëtoret” – Bullgari, “Vdes siç vdes një vend” – Shqipëri, “SPEAK MEDEA” – Iran, “Darka e Thërrimeve” – Maqedoni, “Armiku i Popullit” – Kosovë, janë shfaqjet që do të mirëpriten përgjatë këtij edicioni të parë të festivalit. / KultPlus.com

Të ngjajshme