5 Maj, 2025 - 6:30 pm
Teatri Kombëtar shpalli të hapur thirrjen publike për projekte artistike të bazuara në dramaturgjinë e shekullit të XX-të.
TK fton të gjithë krijuesit, regjisorët dhe artistët të paraqesin propozimet e tyre nga data 5 maj deri më datë 23 maj 2025. Përzgjedhja e projekteve artistike do të kalojë në dy faza, ku fillimisht do të bëhet vlerësimi i propozimit të projektit artistik dhe më tej vlerësimi i aspektit financiar dhe llogaritja e fondit limit.
Në fazën e parë, Teatri Kombëtar do të shqyrtojë propozimet në bazë të konceptit dhe vizionit artistik, ndërsa në fazën e dytë, pas miratimit të propozimeve artistike në fazën I, projektet do të rishikohen dhe do të vlerësohen duke përllogaritur kostot dhe fondin limit.
Përveç të tjerash, aplikantëve do u duhet të paraqesin një sinopsis të shfaqjes: një përmbledhje e qartë e veprës që mendojnë të realizojnë si dhe platformën regjisoriale, duke përfshirë përfytyrimin artistik për kostumet dhe skenografinë./KultPlus.com