Artistët mbjellin fidane, ia dedikojnë ndërtimit të sallës koncertale

19 Prill, 2019 - 1:06 pm

Sfidës për të mbjellë një pemë e nisur nga ish presidentja Atifete Jahjaga, sot iu përgjigjën edhe artistët të njohur të vendit të cilët po ashtu kanë qenë pjesë e festivalit “Chopin Piano Fest” ndër vite, shkruan KultPlus.

Artistët e mirënjohur si Ardita Statovci, Lejla Pula, Kreshnik Aliçkaj, Visar Kuçi, Petrit Çeku  zgjodhën sot oborrin e Fakultetit të Arteve, që të mbjellin pemën.

Artistja Ardita Statovci u shpreh se i wshtw pwrgjigjur sfidës pasi qw ishte nominuar nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

 “Sot filluam me mbjelljen e drunjëve duke iu përgjigjur sfidës së presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj. Së bashku me kolegët muzikantë kemi mbjellë tri pemë tek Fakulteti i Arteve, Dega e muzikës në Prishtinë dhe dedikimi i bëhet çështjes së sallës koncertale. Njësoj sikurse pemët që kanë nevojë për dritën dhe ujë që të rriten dhe të lulëzojnë, po ashtu edhe gjenerata e re e studenteve që shkollohen këtu kanë nevojë për sallën koncertale”, tha Ardita Statovci.

Edhe kitaristi i njohur Petrit Çeku e konsideroi të rëndësishme ndërtimin e sallës koncertale. Ai po ashtu potencoi se fidanët të cilat i mbolli sot ia dedikon kësaj çështje pasi që suksesi i artistëve do të vihej më shumë në pah sikur ata të performonin në salla adekuate. Të njëjtën gjë e potencoi edhe drejtoresha e festivalit, Lejla Pula.

“Le të jetë kjo mbjellja e pemëve nga artistët të mirënjohur kosovar që na nderojnë me prezencën e tyre edhe në festivalet tona. Me këtë dëshirojmë të tregojmë që kjo është simbolikisht një dëshirë që të bëhen edhe themelet e një salle koncertale, ku të gjithë këta artistë të ri dhe me talent e që shkollohen në këtë ndërtesë  do të kenë mundësin të shfaqin edhe punën e tyre jashtëzakonisht të mirë”, u shpreh Pula./Xheneta Uka/ KultPlus.com

Të ngjajshme