Besa Luzha: Arti mundet të ketë funksion politik

25 Janar, 2018 - 5:56 pm

Nëse arti dhe politika janë dy sfera që shkojnë afër njëra tjetrës apo jo, është debat i pafund dhe me shumë mendime.

Besa Luzha, profesoreshë dhe aktiviste, mbrëmë në një prej emisioneve të Televizionit Klan Kosova, tregoi se arti mund të ketë funksion politik, por jo domosdo.

“Arti mundet me pasë funksion politik, jo vetëm në raport me agjendën politike, por e merr këtë funksion kur promovon barazinë gjinore, shembull, apo kur e kundërshton dhunën në familje, ose dhunën ndaj gruas” tregoi në një pjesë të debatit Besa Luzha.

Ajo iu referua artistes Alketa Xhafa Mripa, e cila dhimbjen për gratë e dhunuara, pra një aktualitet politik, e ktheu në art.

“Nëse artisti promovon ambientin e pastër, tolerancën, atëherë arti merr funksion politik. Megjithatë ndonjëherë artisti vendosë edhe për diçka që nuk është e lidhur me zhvillimet në shoqëri” tregoi Luzha.
Në këtë emision televiziv i pranishëm ishte edhe Mehmet Behluli, artist e profesor.

Behluli tha se raporti i tillë fuqizohet pasi artistët, në ambient ku jetojnë, janë gjithmonë më kritikët.

“Artistët e rinj sot i brengosë aktualitet, i bren. Arti kësisoj shërben si një vegël për me e shprehë një pozicion, për me e ndriçu një pozicion” tregoi mes tjerash Behluli.

Gjatë emisionit në fjalë u diskutua mbi artin dhe politikën dhe se si ato ndërhyjnë në njëra tjetrën, kjo edhe në pajtimin mes dy popujve apo në sukseset dhe dështimet që njëra fushë mund ti arrijë para tjetrës. / KultPlus.com

Të ngjajshme