‘Biblioteka Kombëtare e Kosovës është mrekulli e arkitekturës moderne!’

15 Shtator, 2018 - 9:26 am

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, punë e arkitektit kroat Andrija Mutnjakovic, disa herë është përfshirë në dy lista: në listën e objekteve mrekulli në aspektin arkitekturor dhe shpesh në listën e objekteve më të shëmtuara.

Me gjithë faktin se mendimet nuk pajtohen dhe janë relative, nuk ka dyshim që objekti është i veçantë në formën dhe ndërtimin e tij dhe i jep Prishtinës një pamje tjetër.

Gazeta kroate Jutarnji List së fundmi e ka quajtur këtë ndërtesë si një mrekulli të arkitekturës moderne.

“Ndërtesa, që nga hapja e saj në vitin 1982, nuk është renovuar asnjëherë, pos aty-këtu ndryshimeve të vogla. Madje ndërtesa është me fakt që i ka shpëtuar edhe luftës në Kosovë. Së fundmi, Ministria e Kulturës në Kosovë ka ndarë disa para për të ndërhyrë në funksionimin më të mirë të ndërtesës, në këtë proces ku do të marrë pjesë edhe vetë Mutnjakovic” shkruan mes tjerash Jutarnji list.

Në këtë shkrim përmendet edhe Java e Arkitekturës në Kosovë dhe takimi i Bekim Ramkut dhe Nol Binakajt me Mutnjakovic.

Në shkrim përmendet se MoMA – Muzeu i Artit Bashkëkohor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka disa ide se di të integrojë trashëgiminë e Mutnjakovic brenda ndërtesës, për të lënë më shumë gjurmë të këtij arkitekti brenda kësaj ndërtese unike.

Para pak ditësh KultPlus tregoi se si ky objekt prapë është përfshirë në një listë të bibliotekave më të mahnitshme në Evropë. / KultPlus.com

Të ngjajshme