Dasmë e madhe në Kaninë, martohet Gjergj Kastrioti Skënderbeu me Donikën (FOTO)

22 Prill, 2018 - 4:26 pm

Kalaja e Kaninës ishte mbushur me dasmorë nga të gjitha anët mbarëkombëtare, të cilët kishin ardhur të jenë pjesë e dasmës së madhe të Skënderbeut e të Donikës, ceremoni kjo që është organizuar në bashkëpunim me Arbëreshët e Italisë, Elida Jorgani dhe Fate Valaj, shkruan KultPlus.

Si në kohët e vjetra, Skënderbeu me helmetën e tij të famshme, me kostume shqiptare kishte hipur mbi kalin e bardhë që të merrte për nuse Donikën.

Arbëreshë, ansamble të ndryshme të këngëve dhe valleve nga Shqipëria e Kosova ishin krushqit e kësaj dasme të madhe që kishin mbushur Kalanë e Kaninës për të shënuar këtë festë të madhe, edhe njëherë, pas një periudhe pesë shekullore.

Dhe si sapo të martuar, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Donika, të cilët performoheshin nga dy arbëreshë, kishin zënë vend në fronin e tyre dhe po përcillnin dasmën, por deri aty, sa nusja e Kastriotëve hudhi edhe tufën e luleve, bestytni kjo për të sjellë dasmën e radhës në këto troje.
Fate Valaj, njëri nga organizatorët është shprehur të jetë i lumtur që ka arritë bashkë me arbëreshët dhe Elida Jorganin të organizojnë këtë festë të madhe, duke uruar që manifestime të tilla që bashkojnë gjithë shqiptarët të mbahen edhe më shpesh.

Dhe trashëgimtari i Gjergj Kastriot Skënderbeut, që vjen nga gjenerata e pesëmbëdhjete, Loris Castriota Skenderbeg para të pranishmëve të shumtë ka thënë se mos të ishte kjo dasmë nuk do të ishte i pranishëm këto ditë në dasmë. “Kjo dasmë na ka mundësuar që të bëjë bashkë gjakun e shqiptarëve”, ka thënë ai, duke kujtuar se rrethanat historike kanë bërë që shqiptarët të jenë të ndarë në gjitha anët e botës. “Shqipëria ka një histori të shkëlqyer për të gjithë, dhe vetëm atëherë kur ta kuptojë Evropa rëndësinë e Shqipërisë, Shqipëria do të jetë pjesë e saj”, ka thënë Skenderbeg.

Më pas në këtë cermoni kanë folur edhe përfaqësues të tri komuniteteve arbëreshe nga Italia, të cilët e kanë shprehur dashurinë për këtë ritakim të shqiptarëve. E Elida Jorgani ka premtuar se kjo festë do të bëhet e përvitshme, dhe po me këtë festë do të takohen të gjithë shqiptarët.

Më pas, kjo dasmë e madhe është shënuar edhe me mbjelljen e pemës së paqes nga Skënderbeu dhe Donika, kurse më pas, kjo festë është shënuar me këngë dhe valle nga shumë ansamble, por me një hapësirë të theksuar për arbëreshët./KultPlus.com

Të ngjajshme