Ditës Ndërkombëtare të Romëve i parapriu diskutimi për përvetësimin e kulturës rome

5 Prill, 2019 - 11:01 am

Kanë mbetur edhe pak ditë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve që shënohet më 8 prill. Kjo datë shihet si një mundësi për festimin e kulturës rome, por edhe për ngritjen e ndërgjegjësimit rreth çështjeve që i shqetësojnë rreth 15 milionë romë në mbarë botën si dhe thekson diskriminimin që ky komuntitet e përjeton në sfera të ndryshme të jetës.

Kjo është një ndër datat ku romët janë më në fokus të diskursit politik dhe adresohen çështjet e tyre. Por, përtej kësaj ende nuk ka hapa konkret për shënuar luftën për njohjen e kulturës, historisë dhe të drejtave të romëve — thelbi i Ditës Ndërkombëtare të Romëve. Kultura e pasur, që është njëra ndër veçoritë më të rëndësishme të komunitetit rom, zakonisht reduktohet te muzika që publiku e vlerëson herë pas here. Pikërisht duke u bazuar në këtë dhe për t’i paraprirë kësaj ditë, Kosovo 2.0 mbrëmë organizoi diskutim me temën “Hajde Folim për Përvetësimin e Kulturës Rome”, shkruan KultPlus.

Në diskutim e moderuar nga Dafina Halili, fjalën i pari e mori Denis Galushi, gazetar në RTK i cili nisi me përgëzimet për këtë organizim dhe përzgjedhjen e panelistëve.

“Eshtë mirë të ndjehesh rom por edhe më mirë kur ti ke pak njohuri dhe me gjithë shpirt dëshiron të reflektosh të një situatë të mirë që të tregosh një eksperiencë të vërtet për romët”, tha Galushi.

Tutje Galushi parafrazoi fjalët e shkrimtarit Gjergj Fishta të cilat qëndrojnë në atë se “nëse dëshiron të flasësh për njerëzit që të kuptojnë atëherë flit për gjuhën që ata e kuptojnë por nëse dëshiron të flasësh me gjuhën e zemrës flit me gjuhën që ata e njohin”.

“ Gjuha është arma kryesore një identiteti i një kulture dhe i një komuniteti, fjalët e shkruara gjithmonë mbesin por fatkeqësisht historia e komunitetit rom me shekuj është ndërtuar mbi historikun gojor duke u transmetuar nga të parët tanë” , u shpreh tutje Galushi, shkruan KultPlus.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini u shpreh se është e rëndësishme që të trajtohen tema që kanë të bëjnë me kulturën, traditën gjuhën e komunitetit rom e veçmas në Kosovë. Hajredini tutje theksoi se si shoqëri civile, si komunitet rom po marrin masa për diversitetin e gjithanshëm për diskutimin dhe trajnimin e temave të tilla.

“Tri vitet e fundit kemi nisur që ta kuptojmë realitetin institucional, me pas vëmendjen më të madhe sidomos tek aspekti buxhetor , në fushën e shëndetësisë dhe ekonomisë. Komuniteti rom është shumë këmbëngulës jo vetëm për ta kërkuar të drejtën e tyre por për të dhëne alternativa, zgjidhje për të ofruar mundësin se të adresohet progresi nga ana e një institucioni ” tha Hajredini.

Sipas drejtorit të Romës Versitas Kosovo, Avni Mustafa romët janë ata të cilët ishin dëbuar nga një vend në vendin tjetër, nuk kishin punësim e as trajtim të denjë nga të tjerët.

“Tani jemi në vitin 2019 dhe ende po flasim për problematikën e njëjtë në Kosovë, keni ende diskriminim, keni trajnim jo të barabartë, akoma shoqëria i trajton romët si shtresa më e ulët në Kosovë. Romët nuk janë të lirë të tregojnë se kush janë. Problematikat të cilat ballafaqohen romët janë të mëdha, Kosova është një shtet e cili ka kreatibilitetin qe të merr vendime”, ka thënë gjatë diskutimit Mustafa. Sakibe Jashari e cila e mori fjalën krejt në fund të diskutimit, ilustroi dy shembuj të këngëtarëve shqiptarë që përfshijnë muzikën e komunitetit rom.

Sipas saj, koncepti “tallava” që vjen prej gjuhës rome, ka qenë i përfshirë edhe në këngën e Flori Mumajesit që gërshetohet me zërin e një djaloshi të komunitetit rom. Ajo përmendi edhe një shembull tjetër të ngjashëm të këngës “Te ka lali xhan”. Sipas Jasharit komuniteti rom është një komunitet i cili i përfshinë shumë benifite sidomos në sferën e muzikës. / F.Byqmeti/ KultPlus.com

Të ngjajshme