Elva Margariti fillon punën si Ministre e Kulturës

18 Janar, 2019 - 12:16 pm

Pas afro 6 vitesh në krye të Ministrisë së Kulturës, Mirela Kumbaro ka kaluar detyrën tek ministrja e re, Elva Margariti. Gjatë fjalës në ceremoninë e orgazuar me këtë rast, Kumbaro evidentoi disa prej arritjeve të punës së saj, si dhe falenderoi gjithë ekipin me të cilin punoi.

“Ajo që nuk kisha arritur të artikuloja më parë, sikurse e bëra kësaj radhe, ishte që pa e thënë si të tillë, kam punuar çdo ditë si të ishte dita ime e fundit këtu, me shqetësimin se mos kjo ishte dita e fundit dhe më ngelen ca gjëra pa bërë.

Kjo ka qenë thellë-thellë motori i atij presioni që ju ndoshta keni ndjerë nga unë; që të bëhet dhe kjo të bëhet dhe ajo. Fantastike është që edhe unë kam ndjerë të njëjtin presion nga ju. Jemi ministria me buxhetin më të vogël, por me vizibilitetin më të madh. Secili nga ju ka qenë një potencial fantastik profesional dhe shpirtëror. Kjo ka bërë që ne të relizojmë gjithë ato gjëra bashkë”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja e re Elva Margariti vlerësoi punën e Kumbaros dhe theksoi se sfida e saj e vetme në krye të Ministrisë së Kulturës është të arrijë të mbajë të njëjtin ritëm si paraardhësja.

“Shikoj sot një detyrë shumë të madhe që më është ngarkuar dhe ndiej mbi të gjitha nder, nder se më është besuar një ministri me buxhet të vogël, por me përgjegjësi të madhe. Punët e mira bëhen me ekip. Unë besoj se së bashku do të ndërtojmë vazhdimësinë e një pune, që ju e keni nisur, që Mirela e ka nisur dhe e ka çuar përpara me shumë përkushtim e me shumë rezultate. Kjo për mua është e vetmja sfidë, të arrijmë të mbajmë të njëjtin ritëm”, tha Margariti.

Gjatë ceremonisë u shfaq gjithashtu edhe një klip ku ishin përmbledhur disa prej momenteve kryesore që shenjonin punën e Mirela Kumbaros në krye të Ministrisë së Kulturës për afro gjashtë vjet. Kumbaro është ministrja më jetëgjatë në këtë dikaster që prej vitit ’92.

Të ngjajshme