Fotografi të vjetra të mësuesve dhe nxënësve nga qytete të ndryshme të Kosovës

7 Mars, 2018 - 6:32 pm

Data 7 mars 1887 shënon ditën kur në qytetin e Korçës u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe, shkruan KultPlus.

Kështu Mësonjëtorja e Korçës u bë shkolla e parë e demokratike, kombëtare, dhe laike e gjuhës shqipe. Veç të tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë.

Kështu, që nga ajo ditë, 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.

Qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës, sot kanë ndarë fotografi të vjetra të mësuesve dhe nxënësve të qytetit të tyre.


Fillimisht po ju sjellim një fotografi nga qyteti i Mitrovicës. Në këtë fotografi të publikuar nga Mensur Culi Deva shihet mësimdhënësit mitrovicas me disa nxënëse pas Luftës së II-të Botërore. Fotografia është shkrepur në oborrin e familjes Zymi. Nga e majta,në këmbë: Dr. Myhedin Salihamixhiq, Xhabir Xhabiri, Halit Zymi, Mysherefe Mustafa, Prof. Musa Deva, Stefan Zorba (drejtor) dhe Veton Gjinaj. Ulur nga e majta: XX, XX, XX, Fikrije Deva dhe Myvedete Raifi.


Një fotografi tjetër e publikuar po ashtu nga Mensur Culi Deva paraqet nxënësit e qytetit të Gjakovëss me mësuesin Musa Deva. Fotografia është shkrepur në vitin 1946, në xhaminë e Mahallës së Hadumit.


Fotografia tjetër vjen nga qyteti i Istogut. Kjo fotografi e publikuar nga Arita Dreshaj tregon mësuesin Imer Sadik Dreshaj i cili shihet me nxënësit e tij në fshatin Vrellë të Istogut.


Po ashtu nga ky qytet po ju sjellim edhe një fotografi të publikuar nga Astrit Rexhaj ku shihet mësuesja Xhejrane Rexhaj së bashku me nxënësit. “Koha ishte bardhë e zi por edukimi ishte me më shumë kualitet se sot”, ka shkruar Rexhaj në këtë postim.


Be Shala ka publikuar një fotografi nga qyteti i Pejës, në këtë fotografi shihet një orë mësimore në qytetin e Pejës. Mësuesi në fotografi është Abdullah Shala, ndërsa fotografia është shkrepur më datë 25 maj 1956.


KultPlus ju sjellë edhe një fotografi nga nxënësit e qytetit të Vushtrrisë. Kjo fotografi e publikuar nga Rexhep Karakashi është e shkrepur gjatë viteve të 50-ta ndërsa në fotografi shihet mësuesi Shefqet Karakashi së bashku me nxënësit e tij. / KultPlus.com

Të ngjajshme