Gdhendja e drurit për tavanë dekorativë, traditë e lashtë në artin popullor shqiptar

3 Prill, 2024 - 11:27 am

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat, përmes një postimi në rrjetet sociale, sjell në vëmendje tavanet e gdhendura që zbukurojnë shtëpitë karakteristike të Beratit. Një prej tyre është tavani dekorativ i banesës së Vajde Myftiut, që sipas specialistes Fatbardha Shkupi, është gdhendur nga usta Hasan Teta (gdhendës dibran druri). Të njëjtin kompozim e shohim edhe në një tavan në Elbasan, të vendosur në muzeun Etnografik.

Fatbardha Shkupi është specialistja e parë e gdhendjes së drurit në Shqipëri e cila ka gjetur mjeshtrat e të gjithë qyteteve nga Shkodra në Gjirokastër. Me përvojën dhe punën e saj sistematike në terren ajo ofron të dhëna me vlerë për historinë e zbukurimores së Shqipërisë dhe si është zhvilluar puna e skulpturës në dru në vendin tonë.

Gdhendja e drurit ka tradita të lashta në artin popullor shqiptar. Ajo u zhvillua kryesisht në viset kodrinore e malore të pasura me pyje. Në zanafillë ishte mjeshtëri e barinjve. Ata punonin me zbukurime veglat muzikore, djepat, kutitë, rrathët e këmborëve etj. Gdhendja e drurit, si mjeshtëri shtëpiake plotësonte nevojat e jetës familjare. Punimi artistik i drurit si profesion u zhvillua në disa krahina. Njihen për punimet e tyre në dru, mjeshtrat dibranë, ata të Shpiragut (Beratit) dhe ata të Shqipërisë juglindore që e ngritën artin e gdhendjes së drurit në shkallë shumë të lartë dhe krijuan vepra të vërteta artistike. Nga fundi i shek. XIX e këtej, arti i punimit artistik të drurit u zhvillua dhe në qytete si Tiranë, Elbasan, Shkodër, Prizren, Gjirokastër. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme