Gërmime në “Varrin e çifutit”, në Amantia

12 Dhjetor, 2022 - 10:22 am

Parku i Amantias është një nga sitet arkeologjike më interesante, që ende ka shumë për të zbuluar.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka sjellë në vëmendje punimet që po kryhen në Amantia e më saktësisht në objektin e njohur me toponimin si “Varri i çifutit”.

Fotot e sjella në postim tregojnë dhe rezultatin e gërmimeve të deritanishme, brenda parkut.

Gërmimet pritet të sjellin të dhëna të reja mbi historinë e këtij vendbanimi.

Drejtori i DRTK Vlorë, Orgest Feimi, është shprehur i sigurt se gërmimet në Amantia do të sjellin një atraksion të ri turistiko- kulturor brenda territorit Amantin.

“I trashëguar ndër breza nga gojëdhënat, me toponimin “Varri i Çifutit”, kurioziteti legjitimon zbulimin e plotë të kësaj strukture, e cila unifikon rëndësinë dhe historinë e asaj çfarë trashëguam nga të parët tanë”, shkruan drejtori i DRTK Vlorë.

Rrënojat e qytetit antik të Amantias janë monument kulture, në qarkun e Vlorës. Amantia u themelua në fund të shekullit V para erës sonë. Ajo ndodhet në një kodër në zonën e Labërisë dhe është e fortifikuar me mure.

Në shekullin e III-të para erës sonë, qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme