Gjetje të reja në Amfiteatrin e Durrësit

3 Gusht, 2022 - 1:24 pm

Të tjera gjetje e fakte kanë dalë në dritë nga projekti kërkimor-shkencor i Amfiteatrit të Durrësit. Pavarësisht temperaturave të larta, procesi i gërmimeve vazhdon për njohjen e mëtejshme të trashëgimisë arkeologjike.

“Ishte një ndjesi e veçantë të asistoje në procesin e gërmimeve të një skuadre shqiptaro-italiane”, tha ministrja e Kulturës, Elva Marariti, e cila ka parë nga afër gjetjet.

Projekti i gërmimeve bashkëdrejtohet nga dr. Elvana Metalla (Instituti Arkeologjisë) dhe dr. Sonia Antonelli (Universiteti Chieti, Itali), bashkëfinancuar nga Minisria e Jashtme Italiane e bashkëpunimit ndërkombëtar – MAECI dhe miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, pranë Ministrisë së Kulturës.

Gjatë ekspeditës 4-javore, ku morën pjesë arkeologë, studentë italianë dhe shqiptarë, u arrit zbulimi i vazhdimit të disa prej galerive të amfiteatrit si edhe gjurmët e një furre mesjetare, që sipas drejtueseve të projektit mund të datohet në periudhën e hershme apo të mesme mesjetare.

Gërmimi nxori një numër të shumtë gjetjesh kryesisht qeramike dhe materiale të imëta, që përforcojnë imazhin e një vendbanimi portual, shumë të gjallë, nga pikëpamja e marrëdhënieve tregtare, pas përfundimit të antikitetit dhe që tregojnë historinë e këtij qyteti magjepsës. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme