Guri nga Kosova, problematik në Kuvendin e Serbisë

3 Tetor, 2017 - 10:13 pm

Shefi i grupit të deputetëve Dveri Boshko Obradoviq, sot në Kuvendin e Serbisë ka kërkuar të pranohet rezoluta e kësaj lëvizjeje që veten quan mbrojtës të Kosovës dhe ka treguar një gur të madh, të cili, siç ka thënë e kishte sjellë nga Kosova dhe duke e ngritur lart gurin, e recituar një poezi për atdheun.

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë Maja Gojkoviq pastaj kishte shpallur pauzë dhe kishte kërkuar që guri të largohej nga aty.

“Nuk e kuptoj pse iu pengon guri të cilin dje e solla nga Kosova, dhe poezia”, citon “Blic” i Beogradit të ketë thënë Obradoviq.

Ai këtij portali i ka treguar se gurin e kishte marrë dje nga Kosova si “një shenjtëri personale” dhe se për të ai nuk ishte gur i rëndomtë, por “gur themeltar i shtetit tonë”.

Obradoviq pastaj ka rrëfyer sesi e kishte futur brenda gurin pa vështirësi dhe se madje që nga dita e djeshme atë e kishte harruar në çantën e deputetëve.

Në fund ai ka shfaqur keqardhje pse “guri ishte përjashtuar nga mbledhja” e rezoluta ishte hedhur poshtë nga shumica parlamentare duke thënë se nga kjo “qartë mund të përfundohet se ajo shumicë nuk është e interesuar për ruajtjen e Kosovës në Serbi”. / KultPlus.com

Të ngjajshme