I jepet lamtumira e fundit Rexhep Maksutajt, mbledhësit të devotshëm të folklorit

1 Dhjetor, 2018 - 10:07 am

Ka vdekur në moshën 68 vjeçare, Rexhep Maksutaj, arsimtar, mbledhës i devotshëm i folklorit e i pasionuar në trashëgiminë kulturore.

Ai ishte nga fshati Isniq i Deçanit, konservues i rëndësishëm i traditës shqiptare. Maksutaj ka qenë pika referente për kullën unike të Osdautajve e kullave të tjera në këtë fshat, për lisin qindra vjeçar po ashtu emblematik të fshatit, sikurse edhe për traditat e kulturës shpirtërore të asaj ane.

Komuna e Deçanit sot ka mbajtur mbledhje komemorative në nderim të veprës së tij.

E për vdekjen e papritur të Maksutajt kanë shprehur dhembje edhe miq e bashkëpunëtorë të tij, shkruan Koha Ditore sot.

Sali Shoshi, drejtor i organizatës Trashëgimia Kulturore pa Kufij, ka shkruar se “Baca Rexhë, një mbledhës i devotshëm i folklorit, një arsimtar i respektuar në fshatin Isniq dhe një mik shumë i nderuar i imi na la sot, në moshën 68 vjeçare”.

“Baca Rexhë kontribuoi pa masë në gjurmimin e thesarit popullor duke mbledhur dhe dokumentuar gojëdhena, këngë, tradita popullore të cilat me dashuri i transmetonte të gjeneratat e reja. Miku im, faleminderit shumë për punën tënde – të jemi shumë borxhli”, ka shkruar Shoshi. “I lehtë të qoftë dheu i Isniqit, që e deshe aq shumë”, ka shtuar më tej.

E ka kujtuar edhe hulumtuesja nga Suedia, Ann Christine Eek, që ka vizituar shpesh Isniqin për të studimet e saj, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Maksutajt.

“Rexhep Maksutaj nga Isniqi, ish-mësimdhënës i Anglishtes, hulumtues i historisë dhe i traditës, mik i mrekullueshëm, na la sot në moshën 68 vjeçare. Ngushëllimet e mia për një humbje kaq të madhe për familjen, kolegët e tij dhe Isniqin. Ai ishte personi i cili gjithmonë ishte aty kur vizitoja fshatin, si në këto fotografi nga viti 2000 dhe 2009”, ka shkruar ajo në anglisht. “Ngushëllime familjarëve, kolegëve dhe gjithë fshatit Isniq”, e ka shkruar në shqip, Ann Christine.

Antropologu Tahir Latifi, po ashtu i ka dhënë lamtumirën e fundit, mikut të tij, Rexhep Maksutaj. Edhe Latifi, që ka studiuar familjen e gjerë, ndryshimet në familje dhe marrëdhëniet farefisnore, ka ndarë momente të mira nga takimet me Maksutajn në Isniq. / KultPlus.com

Të ngjajshme