Kandidati nga Vetëvendosja premton rivitalizimin e Pallatit të Kulturës ‘Jusuf Gërvalla’

2 Tetor, 2017 - 8:14 pm

Zekë Sinanaj, i kandiduari i Vetëvendosjes për Kryetar të Deçanit, ka premtuar kësisoj në rrjetin social Facebook sot se do të angazhohet për rivitalizimin e Pallatit të Kulturës “Jusuf Gërvalla”.

“Rivitalizimi i Pallatit të Kulturës “Jusuf Gërvalla” me funksione të plota dhe në shërbim të kulturës e të rinjve
Pallati i Kulturës, sot është në një gjendje të mjerueshme, madje një pjesë e madhe e këtij objekti nuk i shërben aktiviteteve kulturore. Në këtë objekt kanë zënë vend biznese të ndryshme private, duke ua vështirësuar qasjen në hapësirat e këtij pallati dhe njëkohësisht duke ua pamundësuar artistëve dhe të rinjve të komunës së Deçanit aktivitetet e tyre kulturore. Është e papranueshme që në objektin e dedikuar për kulturë të operojnë biznese private.
Prandaj prioritet i qeverisjes sonë fillimisht është funksionalizimi i plotë i Pallatit të Kulturës, ku është paraparë renovimi i tërësishëm i objektit, lirimi i hapësirave të zëna dhe ofrimi i mundësive që artistët ta zhvillojnë aktivitetin e tyre kulturor.
Pas kësaj zotohemi se do t’i mbështesim të gjitha idetë kreative nga artistët e rinj në lëmin e kulturës.
Ne jemi të vendosur ta kthejmë Pallatin e Kulturës në duart e njerëzve te kulturës” ka shkruar Sinanaj në Facebook.

Ky postim lidhet edhe me datëlindjen e Jusuf Gërvalles, e cila ishte dita e djeshme, 1 tetori. / KultPlus.com

Të ngjajshme