Kulla në fshatin Çadrak të Komunës së Suharekës i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese- konservuese

23 Qershor, 2020 - 11:28 am

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në kuadër të zbatimit të politikave programore, ka hartuar projektin për restaurimin e Kullës së familjes Tafolli në fshatin Çadrak të Suharekës. Zbatimi i këtij projekti do filloj së shpejti pasi që janë tejkaluar të gjitha procedurat e parapara ligjore, përcjellë KultPlus.

Kulla e Hasan Tafollit që gjendet në fshatin Çadrak të Komunës së Suharekës është karakteristike për nga tipologjia dhe funksioni. Është ndërtuar në shekullin XIX dhe ka shërbyer për kryesisht për banim dhe për ruajtjen e bagëtisë, por, sipas nevojave dhe rrethanave të kohës ka pasur edhe funksione të tjera.   

Banorët e këtij fshati tregojnë së kjo ndërtesë është shfrytëzuar edhe si Odë deri në vitet e 90-ta, deri kur familja Tafolli është shpërngulur nga fshati, dhe Kulla së bashku me shtëpinë tjetër të banimit janë braktisur tërësish.

Kulla e gurit e familjes Tafolli është e vendosur mbi kodër dhe ka pozitë dominuese mbi fshatin Çadrak. E ndërtuar në harmoni me ambientin rrethues, kjo kullë është shndërruar në pjesë përbërëse të peizazhit të fshatit.  

Për shkak rrethanave shoqërorë, bujqësia dhe blegtoria kanë qenë burimet kryesore të jetesës që ka ndikuar edhe në aspektin e zgjidhjes arkitektonike duke imponuar një funksion të banimit të kombinuar. 

Drejtori i Qendrës Rajonale për trashëgimi kulturore në Prizren Samir Hoxha,  thekson se kujdesi dhe mirëmbajtja e aseteve të trashëgimisë kulturore, duhet ta ketë ç’do ditë e më shumë vëmendjen që e meriton,  e me theks të veçantë ndërtesat të tilla të cilat paraqesin ndër shembujt e paktë të këtij tipi të kullave të gurit me çardak druri që kanë mbijetuar në Kosovë.

“Si e tillë, kjo kullë prej guri ngërthen në vete vlera të rëndësishme arkitektonike, historike, shoqërore, ambientale dhe ekonomike, andaj se sa dinë njerëzit për trashëgiminë kulturore, varet nga ajo se çka bëhet me kujdesin institucional dhe promovimin e saj” thekson Samir Hoxha, drejtori i QRTK-së në Prizren.

Si rezultat i vjetërsisë së ndërtesës, mungesës së ndërhyrjeve konservuese, dhe braktisjes, Kulla në fjalë është në gjendje të keqe fizike dhe rrezikohet nga dëmtimet e mëtutjeshme, andaj është bërë pjesë e programeve investuese të Ministrisë së Kulturës përmes Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren. / KultPlus.com

Të ngjajshme