Kushi: Kongresi i Elbasanit, gur themeli i historisë së arsimit, gjuhës dhe kulturës shqiptare

2 Shtator, 2023 - 7:00 pm

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi përkujtoi sot 114 vjetorin e Kongresit të Elbasanit.

Kushi e cilësoi këtë Kongres si, një gur themeli i historisë së arsimit, gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Ajo u shpreh mirënjohëse që sot Elbasani vazhdon të ruajë traditën shekullore në fushën e arsimit dhe kulturës.

“U përulemi me respekt të gjithë atyre patriotëve që morën pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme të historisë shqiptare”, shkroi Kushi në një postim në rrjetet sociale.

Në Elbasan, 114 vjet më parë u mbajt Kongresi ku u vendos për hapjen e shkollës së parë të mesme shqipe kombëtare, e cila i hapi dyert e saj për herë të parë më 1 dhjetor 1909, me 140 nxënës nga e gjithë Shqipëria.

Kongresi i Elbasanit që nisi punimet më 2 shtator 1909, shënon një ngjarje të rëndësishme në historinë e arsimit, shkollës e kulturës shqiptare që në histori njihet si “Kongresi i Elbasanit” apo “Kongresi i shkollave shqipe”, ku morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike, brenda e jashtë territorit shqiptar.

Ky kongres i hapi rrugën shkollimit laik në trevat shqiptare dhe vendosi për themelimin në qytetin e Elbasanit të një shkollë të mesme pedagogjike, e cila u quajt Shkolla Normale, për përgatitjen e mësuesve që do të punonin në zhvillimin e arsimit kombëtar./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme