Margariti: Restaurohet kisha e ‘Shën Mërisë’ në Finiq, monument kulture i kategorisë I

5 Gusht, 2023 - 10:49 am

Në kishën e “Shën Mërisë”, monument kulture i kategorisë I, në fshatin Malçan të bashkisë Finiq kanë filluar punimet e mirëmbajtjes, restaurimit dhe konsolidimit.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila ndau në rrjetet sociale momente ngapuna për restaurimin e kishës.

“Pas hartimit të projektit nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Vlorë dhe miratimit nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, ka nisur puna për pastrim dhe sistemim territori përreth monumentit; konsolidim të seksioneve murale e frakturave në muraturën e kishës, restaurim dyersh dhe dritaresh, qeramosje e çatisë etj”, theksoi Margariti.

Sipas Margariti, kjo kishë është një tjetër monument i shpëtuar falë ndërhyrjes që po kryhet.

Kisha e Shën Mërisë në Malçan është një tempull i periudhës pasbizantine me karakteristika të veçanta strukturale. Altari ndriçohet nga tre dritare të vogla dhe është me afreske. Kisha përbëhet nga naosi kryesor dhe narteksi. Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë, me përmasa të brendshme 6,60 x 5,90 m. Brenda ka katër kollona. Në anën lindore naosi lidhet me narteksin. Nga mënyra se si është strukturuar narteksi duket se është ndërtuar më vonë.

Kisha nuk e ruan datimin, por duke gjykuar nga karakteristikat morfologjikë, arkitektonikë, por dhe nga elementët dekorative, tregon të jetë e periudhës pasbizantine dhe mendojmë të jetë ndërtuar nga fundi i shek. XVI-të, fillimi i shek. XVII-të./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme