Muzeu Historik aktivitet mbi firmëtarin e Pavarësisë, Pandeli Cale

3 Gusht, 2023 - 4:00 pm

Muzeu Historik Kombëtar me rastin e 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të Pandeli Cales (1874-1923), nënshkrues i Pavarësisë së Shqipërisë dhe ministri i parë i Bujqësisë, Tregtisë dhe Industrisë, organizoi aktivitetin me temë “Objektet e Pandeli Cales në Muzeun Historik Kombëtar”.

Një nga objektet e Pandeli Cales janë dylbitë, të cilat i janë dhuruar Muzeut Historik Kombëtar nga e bija e tij Konstanca Prodani.

Fjalën e rastit e mbajti Andrea Llukani, i cili foli për jetën dhe aktivitetin e Pandeli Cales.

“Pandeli Cale ka lindur në Korçë. Studimet e larta i kreu në Kajro të Egjiptit. Mori pjesë në mbledhjen e shqiptarëve të Bukureshtit si dhe në Kuvendin Kombëtar të Vlorës në vitin 1912. U zgjodh ministër i Bujqësisë në Qeverinë e Përkohshme të drejtuar nga Ismail Qemali. Mbështeti mbajtjen e Kongresit të Lushnjës në vitin 1920 dhe ishte deputet i Korçës në vitet 1920-1922”. tha Llukani.

I ftuar nderi në aktivitet ishte studiuesi Ilir Ikonomi, i cili foli rreth rrugëtimit të firmëtarëve të pavarësisë.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të një cikli me leksione të hapura me temë mbi trashëgiminë kulturore dhe historinë dhe është një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës, që çon artin e kulturën atje ku është publiku./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme