Ndërhyrje emergjente në kështjellën mesjetare të Lezhës

13 Janar, 2023 - 1:50 pm

Ka nisur faza e parë e sondazheve në kuadër të zbatimit të projektit, mbi ndërhyrjen emergjente në pjesën e murit verior në Kështjellën mesjetare të Lezhës.

Zona ku do të kryhet sondazhi arkeologjik lidhet me çarjet e identifikuara ndërkohë që sondazhi do t’i shërbejë restaurimit të mureve antike.

Sondazhet e studimit të terrenit ku do kryhet ndërhyrja përforcuese dhe stabilizuese në mure kanë përmasa 5×2 m² dhe thellësi maksimale deri në tabanin e shtresave të mundshme kulturore, ndërkohë që sondazhi do të realizohet në formë trench-i dhe me shkallëzime në zbritje.

Segmenti, ku po realizohet ndërhyrja nuk mund të aksesohet me mjete mekanike dhe i gjithë procesi arkeologjik i sondazhit të propozuar do të realizohet manualisht.

DRTK Shkodër, po asiston procesin duke dhënë ekspertizën e saj si dhe duke punuar për pastrimin e zonës së propozuar, nga depozitimet e rrënojave, ndërkohë që në vijim do të vlerësohen dhe gjurmohen me imtësi gjurmët e traktit të murit dhe vijimin e çarjeve vertikale./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme