Presidentja Osmani: Nënë Tereza e ktheu vëmendjen e botës kah një popull i vogël, por zemërgjerë e paqedashës

5 Shtator, 2022 - 1:10 pm

Me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së Shën Nënë Terezës, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, ka vizituar Muzeun në themelim “Nëna Terezë” në Prizren, përcjell KultPlus.

Më poshtë gjeni fjalimin e Presidentes Osmani në përurimin e Shtëpisë Muze të Nënë Terezës në Prizren:

I nderuar  kryeministër, z. Kurti, 

E nderuar zëvendëskryeministre,

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritarë,

I nderuar kryetar i komunës, z. Totaj,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë nga vendet e ndryshme,

Të nderuar përfaqësues të Ipeshkvisë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është nder i madh për mua sot, që në 25-vjetorin e kalimit në amshim të nënës sonë, Shën Terezës, të marr pjesë në përurimin e ekspozitës kushtuar Nënë Terezës në muzeun e saj këtu në Prizren dhe të kujtoj së bashkë me ju veprën e madhe jetësore e shembullin e përkryer moral të cilin ajo ia fali njerëzimit.

Përurimi i kësaj ekspozite, sikurse edhe vetë themelimi i muzeut, është vetëm një hap i vogël në krijimin e kujtesës kolektive për nënën tonë të madhe, e cila përkushtimin ndaj njeriut e lidhi me përkushtimin ndaj hyjit, duke krijuar simbiozën e dashurisë së përhershme, të cilën pastaj ia dhuroi tërë njerëzimit si shembull të përkryer personal.

Përurimi i kësaj ekspozite, këtu, në tokën e familjes së Nënës sonë Terezë, është shenjë e kujdesit që ne, bashkëkombësit e saj, e tregojmë ndaj së shenjtës Agnesë, por edhe ndaj një familjeje, e cila ishte simbol i bujarisë, mikpritjes e ofrimit të dashurisë ndaj secilit, posaçërisht ndaj më të varfërve. Prandaj, më lejoni që të falënderoj Ministrinë e Kulturës dhe të gjithë ata që u kujdesën që sot ne të mund ta përurojmë këtë ekspozitë.

Kujdesi ndaj trashëgimisë së Nënës Terezës nuk është kujtesë e cila ndërlidhet vetëm me përkatësinë e saj etnike, ose me madhështinë e veprës së saj, por është kujdes para së gjithash ndaj shembullit të cilin ajo ia dhuroi njerëzimit. Nëpërmjet këtij shembulli personal ajo u shndërrua në simbol universal, duke e dëshmuar karakterin e popullit të saj, sipas të cilit nderi, bujaria e ndihma për të vobektin janë parime morale e zakonore.

Si pjesë e këtij kujdesi, institucionet e vendit tonë, së bashku me Ipeshkvinë e Kosovës, nga 26 gushti, që shënon ditën e lindjes së shenjtëreshës shqiptare, e deri më 5 shtator, kur po  shënojmë çerekshekullin e kalimit të saj në amshim, me një varg aktivitetesh po shënojmë jetën dhe veprën e humanistes sonë të madhe. Këtë kujdes do ta ruajmë e thellojmë çdo vit, madje në vazhdimësi, sepse kujdesi ndaj të shenjtës sonë nuk mund të ndërlidhet vetëm me data të caktuara. Ajo duhet të na bashkojë e të na frymëzojë çdo ditë, sikur që ajo vetë e niste çdo ditë të ishte e para dhe e fundit njëkohshëm: përplot jetë e dashuri për njeriun.

Prandaj, përurimi i kësaj ekspozite, në muzeun që do ta bartë vulën e veprës së saj, ka peshë të veçantë kulturore e humane. Ne si bashkëqytetarë e bashkëkombës të shenjtës sonë e shumë  vizitues të huaj do të kthehen këtu për t’i gjetur të dëshmuara rrënjët e familjes së Nënë Terezës e vatrën e cila rriti breza të tërë familjarësh të saj. Ai do të shërbejë këtu e tutje edhe si një qendër pelegrinazhi për të gjithë ata të cilët duke kërkuar mirësinë në jetë e shembujt e mëdhenj të altruizmit e të dashurisë ndaj njeriut, do të vijnë këtu të mësojnë se si një vatër e vogël në një vend të vogël, në të cilin jeton një popull me zemër të madhe, ia dhuroi botës shembullin universal të përvujtnisë e të sakrificës së pamatshme për njeriun.

Në këtë muze do të gjendet jo vetëm historia e familjes Bojaxhiu, por edhe modeli në të cilin do të mbështetet secili i ri ose e re, ëndrra e të cilëve do të jetë që një ditë të ndjekë shembullin e Nënë Terezës për t’u shërbyer njerëzimit, për t’ua gëzuar zemrat atyre.

Kërkesa e Nënë Terezës drejtuar motrave të saj që duhet të bëjnë gjithçka që të varfërve, e sidomos më të varfërve mes tyre “t’ua dhurojnë lumturinë, të cilën mbase të pasurit siç thoshte ajo mund ta sigurojnë me para”, është shembull se si njeriu mund të jetojë në lumturi, duke ua siguruar atë atyre që nuk mund ta gëzojnë vetë, duke u ofruar përkrahje, mbështetje e dashurinë, atyre të cilët kujtojnë se nuk mund ta arrijnë atë asnjëherë.

Parimi i saj jetësor që, nëse dëshiron të njëjtësohesh me të varfrit, nuk mjafton vetëm t’i përkrahësh ata, por duhet të provosh që të bëhesh njëri nga ta, të ndiesh me ta e për ta, është parimi më i thellë universal, shembullin e të cilit Nënë Tereza ia fali njerëzimit. “Vokacioni në vokacion”, sikurse e quante ajo këtë lloj përkushtimi, e që përkon me thirrjen e dytë të saj , e cila iu shfaq asaj gjatë një udhëtimi me tren nëpër fushat e Indisë, pas atij të parit, të cilin ajo e mori në Letnicë të Kosovës është shembulli i papërsëritshëm në historinë e njerëzimit, kur njëjtësimi në dashuri, sprova për t’i ngjarë atij të cilit i shërben, është model i pakapërcyeshëm nga i cili mund të mësojmë vazhdimisht e të cilin duhet ta provojmë ta ndjekim përjetësisht.

Prandaj, sot, kur po e kujtojmë 25-vjetorin e kalimit të saj në amshim, themi me krenari se Nënë Tereza paraqet jo vetëm simbolin e dashurisë, të paqes e humanizmit, por edhe një fat të madh historik, të cilin ne, pasardhësit e saj, duhet ta kujtojmë çdo ditë e ta themi me zë të lartë se ajo u shndërrua në fytyrën morale të njerëzimit, duke e shfaqur traditën morale të saj e të familjes, dhe traditën e popullit të vet shqiptar.

Historike, edhe ngaqë, në kohën e represionit etnik serb kundër Kosovës e të vetizolimit komunist në Shqipëri, ajo u shndërrua në simbolin tonë përfaqësues. Duke e theksuar përkatësinë e saj etnike kudo që shkonte, vlerat e familjes e traditën e popullit të saj, e duke e nënvizuar atdheun e saj, sikurse e quante ajo, “atdheun e vogël, po të quajtur Shqipni”, ajo e ktheu vëmendjen e botës kah një popull i vogël, por zemërgjerë e paqedashës.

Prandaj, në ditët sikurse kjo, por edhe në secilën ditë të jetës sonë, ne duhet të mos reshtim së theksuari emrin e saj, mësimet e saj, personalitetin e saj të jashtëzakonshëm. Si institucione dhe si njerëz të politikës ne duhet ta përbrendësojmë dashurinë e saj për njerëzit dhe t’i theksojmë pa pra porositë e saj paqedashëse e humane, sikur bënte presidenti ynë historik, dr. Ibrahim Rugova, në vitet ’90, duke e humanizuar të bërit politikë,  sipas modelit human të Shën Terezës.

Pra jemi krenar që botës ia kemi ofruar shembullin e gruas  shqiptare të quajtur, Agnesë Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, modelin e gruas së butë por të vendosur, e përkushtuar skajshmërisht ndaj njerëzve dhe e dashur për të gjithë, e gatshme që çdo herë të sakrifikojë për të tjerët; njeri që e njeh dhimbjen dhe provon që t’ua shërojë atë të tjerëve, me fjalë të ëmbla e me vepra, sikurse thoshte edhe vet ajo, “vepra të vogla, por me dashuri të madhe”.

Zoti e bekoftë Shën Terezën!

Zoti e bekoftë edhe këtë muze që po e përurojmë sot!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

Faleminderit!! / KultPlus.com

Të ngjajshme