Prishtina dhe prefekti i parë i saj, Hysen Prishtina

28 Shkurt, 2018 - 6:17 pm

Gjatë kohës së pushtimit italian, midis viteve 1941- 1944, Prefekturën e Prishtinës e drejtoi Hysen Prishtina.

Ai u lind më 16 mars të vitit 1916 në Prishtinë. Në vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar mbaroi studimet në Fakultetin e Agronomisë në Universitetin e Romës. Në kohën kur u emërua kryebashkiak i qytetit ishte 25 vjeç.
Hysen Prishtina ishte djali i fisnikut prishtinas, Xhemajl Beg Prishtina. Pak dihet që bashkëshortja e tij, Zonja e parë e qytetit, të cilën shqiptarët e njihnin me emrin Drita, në të vërtetë ishte italiane dhe quhej Stella Velle.

Me bashkëshorten e ardhshme Hyseni u njoh në Itali, derisa studionte për agronomi në Romë. Aty më vonë vuri kurorë me Stella-n në dhjetor të vitit 1941. Më pas u zhvendosën në Prishtinë ku u ai u emërua drejtues i qytetit. Stella Velle-Prishtina u lind në vitin 1910 në qytetin Avellino të Italisë. Me profesion ishte mësuese.

Në kohën kur Hysen Prishtina qeveriste me Prishtinën, u hap Liceu Sami Frashëri. U hap edhe një shkollë për hekurudhë dhe një fabrikë për prodhimin e sixhadeve. Prefekti punoi që Prishtinës orientale, t’i jepte pamje oksidentale. Po këtë vit Hysen Prishtina lëshoi dekret, përmes së cilit kërkoi që institucionet shtetërore dhe secili dyqan në Prishtinë të vendoste flamurin kombëtar me rastin e 28 Nëntorit. Në këtë kohë trazirash, veç angazhimit të mrekullueshëm si prefekt, Hysen Prishtina i mori në mbrojtje të administratës së tij të gjitha familjet hebreje që jetonin në Prishtinë.

Në nëntor të vitit 1944, brenda katër ditëve Prishtina përjetoi Natën e Bartolomeut. Komunistët masakruan rreth 400 qytetarë me origjinë nga familjet fisnike, të cilat edhe gjatë Perandorisë Osmane kishin bërë shumë për vendin.
Pas fitores së kampit komunist, Hysen Prishtina migroi së pari në Itali, pastaj në Turqi e Belgjikë. Vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në Toronto të Kanadasë. Ndërroi jetë në moshën 75 vjeçare më 14 qershor të vitit 1991”
Hyseni dhe Stella lanë mbas vetes tre djem e një vajzë dhe që të gjithë janë gjallë. Djali i madh Fatosi ka katër djem: Agimin, Ilirin, Afrimin dhe Arianin. Djali i dytë Bashkimi ka djalin Adamin, ndërsa djali i vogël Fisniku ka djalin Luanin dhe vajzat Lirijen dhe Adean. Vajza e vetme Farija ka djalin Besimin dhe vajzën Lulen. Pasardhësit e Hysen Prishtinës me sakrificë të madhe krijuan biznese të suksesshme. Ata gëzojnë autoritet të madh në Turqi dhe Kanada.

Zonja e Parë e Prishtinës, Stella Velle jetoi plot 94 vjeç. Ndërroi jetë më 11 maj të vitit 2004 në Toronto. U varros afër bashkëshortit të saj Hysenit, i cili vdiq më 14 qershor të vitit 1991.

Bajram Mjeku

Të ngjajshme